Vrasja e shokut, Prokuroria “zbut” akuzën për djalin e Xhuvanit
Tiranë Prokuroria e Tiranës lehtëson akuzën për djalin e deputetes Luiza Xhuvani, por gjykata e lë në burg. Gjatë seancës së djeshme, ku i pranishëm ishte edhe i riu që ka qëndruar për tre muaj në arrati, Gjykata ka vendosur ta lërë atë në qeli, pavarësisht ndryshimit të akuzës nga ana e Prokurorisë. Djali i aktores dhe deputetes Luiza Xhuvani ka sqaruar një ditë para masës së sigurisë versionin e tij të ngjarjes së 12 shkurtit, ku mbeti i vrarë Alfred Musabelliu. Dëshmia e tij, por edhe provat e mbledhura gjatë hetimit tremujor të kryer nga Prokuroria e Tiranës, kanë krijuar bindjen te grupi i hetimit se ngjarja ka ndodhur në kushtet e mbrojtjes së nevojshme. Ky fakt provohet nga një sërë provash, ndër të tjera edhe gjurmë gjaku të gjetura në vendin e ngjarjes, por edhe në banesën e Kostandin Xhuvanit, të cilat i përkasin autorit të dyshuar të vrasjes. Këto të dhëna, por edhe rrëfimi i të akuzuarit, detajet e të cilit nuk janë bërë ende publike, tregojnë se viktima dhe autori kanë pasur një konflikt mes tyre para ngjarjes. Provat e fiksuara në vendin e ngjarjes tregojnë se para vrasjes ka pasur një konflikt që është konsumuar thuajse në të gjitha dhomat e banesës ku ndodheshin të rinjtë, madje edhe në oborrin e saj. Të gjitha këto fakte i janë bërë dje prezente gjykatës nga përfaqësuesi i akuzës, i cili ka ripërsëritur të njëjtën kërkesë për mbajtjen në qeli të 22-vjeçarit. Sipas hetimeve të deritanishme, rezulton se provat e mbledhura kanë orientuar hetimin drejt akuzës së “vrasjes së kryer në kushtet e kapërcimit të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”, çka tregon se vrasja e 12 shkurtit mund të ketë ardhur pas një sherri mes të rinjve. Megjithatë, burime pranë Prokurorisë thanë se hetimet për këtë çështje vijojnë, pasi në momentet e dorëzimit 22-vjeçari Xhuvani ka dorëzuar në polici edhe armën me të cilën dyshohet se është kryer krimi, ndërsa ka dhënë edhe versionin e tij për këtë ngjarje. Pistoleta është dërguar për ekzaminim në laboratorin qendror të Kriminalistikës, ku do të përcaktohet edhe nëse ka qëlluar apo jo, si dhe do të krahasohet me predhat e gjetura në vendngjarje nga policia menjëherë pas vrasjes. Ka dyshime se një prej predhave nuk është qitur nga arma me të cilën është qëlluar Alfred Musabelliu, megjithatë kjo do të vërtetohet nga ekspertiza balistike që do t’i kryhet armës. Djali i aktores dhe deputetes Luiza Xhuvani është shpallur në kërkim nga policia menjëherë pas ngjarjes së 12 shkurt të këtij viti në Qytetin Studenti, ku mbeti i vrarë Alfred Musabelliu. Pas më shumë se tre muajsh, i dyshuari kryesor për këtë ngjarje u dorëzua në ambientet e policisë së bashku me armën e krimit, duke i krijuar kështu lehtësi vetes në raport me drejtësinë.
Dëshmia e Xhuvanit zbardhi rrethanat e krimit
Kostandin Xhuvani, djali i Gjergj dhe Luiza Xhuvanit, u akuzua për vrasjen e shokut të tij, rreth tre muaj më parë, por ngjarja ishte ende e pazbardhur. Fillimisht policia ishte e paqartë për mënyrën sesi kishte ndodhur ngjarja, por provat e fiksuara në vendin e ngjarjes tregonin se mes të rinjve kishte pasur një përleshje para vrasjes së 22-vjeçarit. Gjurmët e gjakut tregojnë se Kostandin Xhuvani ka mbetur i plagosur nga sherri që u pasua me vrasjen e të riut, me të cilin autori ka pasur më parë marrëdhënie shoqërore. Vetëdorëzimi i tij në polici dhe sqarimet për ngjarjen sollën edhe ndryshimin e akuzës, nga vrasje me dashje në vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes. Kjo pritet të lehtësojë pozitat e 22-vjeçarit, në procesin e pritshëm gjyqësor.