Hashim Thaçi: Nuk do ketë Republikë serbe në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i tha Zërit të Amerikës se pati një rast të mirë të paraqesë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së arritjet e vendit të tij.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit në Nju Jork, zoti Thaçi tha se nga të gjithë u përshëndet fillimi i normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë dhe u dëshmua edhe një herë se Kosova si vend i pavarur e sovran, po prodhon më tepër paqe, stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe perspektivë euroatlantike.
Thaçi në Këshillin e Sigurimit
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar në këshillin e sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara se nuk do të ketë as ndarje të territoreve dhe as republikë serbe ne Kosovë. Thaçi gjithashtu ka nënvizuar dhe rëndësinë e dialogut Prishtinë Beograd. Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara diskutoi raportin e radhës 3-mujor për situatën në Kosovë, të paraqitur nga Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Mun. Në këtë mbledhje, u ravijëzuan qartë qëndrimet ndaj statusit të shtetit më të ri europian, jo vetëm nga kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë të pranishëm në Nju Jork, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, por edhe nga përfaqësuesit e shteteve anëtare të Këshillit. Në fjalën e tij, shefi i qeverisë kosovare e vuri theksin në dialogun e nivelit të lartë mes Prishtinës e Beogradit, te tërësia territoriale dhe pandashmëria e Kosovës dhe te perspektiva e saj integruese në Europë. Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Ban Ki Mun, vlerëson dhe përshëndet posaçërisht dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, për zgjidhjen e situatës në këtë pjesë të Kosovës.