E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hashim Thaçi: Rusia dhe Kina do njohin pavarësinë e Kosovës

09-06-2012 / Gazeta 55

Qeveria e Kosovës dorëzon në Komisionin Evropian përgjigjet për Studimin e Fizibilitetit


Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar nga Japonia, ku po zhvillon një vizitë zyrtare se, në një të ardhme të afërt Rusia, Kina, por edhe Greqia, Qipro, Sllovakia, Rumania dhe Spanja do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Duke folur për qëndrimet e Rusisë dhe Kinës, por edhe të pesëshes evropiane, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, Thaçi ka deklaruar se Rusia duke menduar se po e ndihmon Serbinë, po bën të kundërtën, është duke e ngadalësuar atë në integrimet evropiane dhe përparimin e saj ndërkombëtar. Kryeministri Thaçi në një takim me media, i cili u zhvillua në Press Qendrën Kombëtare Japoneze, ka shpjeguar çështjet politike dhe ekonomike që rrethojnë ambientin kosovar, por edhe atë rajonal.


Ai ka folur edhe për vizionet dhe planet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zhvillimin dhe ngritjen e nivelit të përparimit nacional. “Unë kam ftuar edhe kryeministrin, edhe spikerin e parlamentit, edhe ministrat, edhe agjencitë e ndryshme të ekonomisë që ta vizitojnë Republikën e Kosovës dhe jam i inkurajuar me gatishmërinë e tyre që të gjejnë kohën dhe mundësitë e përshtatshme për vizitë në Kosovë dhe rajon”, ka theksuar Thaçi.


Delegacioni i nivelit më të lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Kryeministri Hashim Thaçi, ka vizituar edhe Parlamentin e Japonisë, Shtëpinë e Përfaqësuesve, ku është pritur nga kryeparlamentari, Takahiro Jokomichi. Edhe në këtë takim është theksuar miqësia mes dy vendeve, si dhe nevoja që edhe Parlamenti i Japonisë të jetë në funksion të zhvillimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Japonisë.


Qeveria e Kosovës dorëzon përgjigjet për Studimin e Fizibilitetit



Qeveria e Kosovës ka dorëzuar përgjigjet në pyetësorin për përgatitjen e Studimit të Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimi. Përgjigjet në 444 pyetje, në 105 fusha të ndryshme janë përgatitur brenda 30 ditëve, nga 7 maj deri më 8 qershor 2012. Dokumenti final përbëhet nga 1,942 faqe, nga të cilat 504 janë përgjigjet në pyetje specifike dhe 1,483 faqe anekse. Në njoftimin e Ministrisë së Integrimit thuhet se përgjigjet janë koordinuar nga Ministria e Integrimit Evropian.


Të gjitha institucionet shtetërore, të nivelit qendror dhe lokal, kanë kontribuar në përgatitjen e përgjigjeve, të cilat thuhet se prezantojnë situatën faktike dhe të saktë të secilit sektor të pyetësorit. “Më 8 qershor 2012, Qeveria ka dorëzuar në Komision Evropian përgjigjet në pyetësorin për Studimin e Fizibilitetit. Kontributi i Kosovës për përgatitjen e Studimit të Fizibilitetit përbëhet nga përgjigjet në pyetësorin dhe 80 anekse relevante”, thuhet në deklaratë.


Hapi i radhës drejt finalizimit të Studimit të Fizibilitetit do të jetë misioni fakt-mbledhës i cili do të qëndrojë në Kosovë nga 18 deri 22 qershor 2012. Sipas Ministrisë së Integrimit, misioni do të përbëhet nga zyrtarë të lartë dhe ekspertë të Komisionit Evropian.


Qëllimi kryesor i misionit do të jetë mbledhja e fakteve rreth gjendjes në vend në raport me mundësinë e zhvillimit të mëtejmë të procesit të Stabilizim Asociimit, gjegjësisht të negocimit dhe implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimi. Ndryshe, gjatë takimit të Këshillit të Bashkimit Evropian të 28 shkurtit 2012, Këshilli ka marr parasysh mendimin e Komisionit Evropian për fillimin e Studimit të Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›