E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hashim Thaci: UNMIK del i tepert ne Kosove tani qe eshte misioni EULEX

Thaci me forca te UNMIK

Prishtinë, 28 mars, 08:26, NOA - Tani që Në Kosovë është i pranishëm misioni i EULEX-it, ai i UNMIK duket i tepërt.

Një fakt të tillë e ka vënë në dukje gjatë një interviste kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, sipas të cilit prania e misionit evropian EULEX në Kosovë, ka bërë që UNMIK-u, i cili përfaqëson misionin e Kombeve të Bashkuara në këtë vend, tashmë të jetë i tepërt dhe i padobishëm.

“Realiteti i Kosovës së pavarur, sovrane dhe demokratike, plotësimi dhe funksionimi i të gjitha institucioneve shtetërore të Republikës, prezenca e EULEX-it dhe ICO-së, kanë bërë që UNMIK-u të ndihet, apo për ne të kuptohet si i tepërt, jo funksional dhe si një mision i tejkaluar”, ka thënë Thaçi.
Gjithsesi, ai ka vlerësuar shumë rolin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në këto nëntë vite në Kosovë, por roli i UNMIK-ut sot sipas tij është i padobishëm, pasi edhe funksioni i Rezolutës 12 44 është plotësisht i tejkaluar dhe jo dobiprurës.
Ndërkaq lidhur me çështjen nëse Serbia ka për ta njohur Kosovën shtet, ai tha se edhe kjo ditë ka për të mbërritur. Madje ka shtuar se “Serbia, në një formë a tjetër e ka njohur Kosovën shtet”.
“Serbia, në një formë a tjetër e ka njohur Kosovën shtet, në një formë të tërthortë apo indirekte, dhe vetë disa liderë të Beogradit tashmë janë deklaruar në favor të pavarësisë. Edhe vetë opinioni publik serb, në sondazhet ndërkombëtare, ka treguar vullnetin e qytetarëve se më tepër janë të interesuar të punojnë dhe të integrohen në strukturat euroatlantike se sa të mendojnë për Kosovën. Prandaj, lidershipi i Beogradit duhet ta respektojë vullnetin e popullit të Serbisë që të largohen nga mentaliteti i së kaluarës për Kosovën dhe të marrin vendimin pas procesit të vetëdijesimit për njohjen e Kosovës shtet”.

n.e/NOA

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›