Hasi: Trajnerët e huaj, dështim për Kombëtaren
Jetmir Halilaj
Kombëtarja e Shqipërisë në futboll nuk ka mundur të bëjë ndonjë hap para, qoftë edhe të vogël, krahasuar me ciklet e fundit kualifikuese. Kuqezinjtë, kualifikimet për botërorin “Afrika e Jugut 2010” i përfunduan në vendin e pestë (të parafundit) në grupin e parë me vetëm shtatë pikë të mbledhura në dhjetë ndeshje. Ish-reprezentuesi i Shqipërisë, Besnik Hasi, ka shpjegim për këtë. “Të gjithë trajnerët e huaj që kanë drejtuar Shqipërinë në vitet e fundit kanë qenë dështim”, ka thënë Hasi të enjten për “Kohën Ditore”. Në pozitë të njëjtë sikurse tani Shqipëria pati përfunduar edhe kualifikimet për botërorin “Gjermania 2006” dhe Evropianin e vitit 2008 që u mbajt në Zvicër e Austri.
“Bilanci i përfaqësueses në eliminatoret e fundit është negativ. Vetëm një fitore në dhjetë ndeshje është shumë pak. Po ashtu edhe golavarazhi është shumë i dobët, kemi pësuar shumë gola. Kombëtarja çalon kur duhet të arrihet diçka, ky problem nuk është i ri, ka ekzistuar edhe më herët”, është shprehur Hasi, që aktualisht është ndihmës/trajner në klubin më të njohur belg, Anderleht. Sipas Hasit, asnjëri nga pesë trajnerët e huaj që kanë drejtuar Kombëtaren në dekadën e fundit nuk kanë punuar si duhet. Përzgjedhës i Shqipërisë aktualisht është kroati Josip Kuzhe. Ai në këtë post zëvendësoi holandezin Ari Han, që e ka drejtuar Kombëtaren në shumicën e ndeshjeve të ciklit të fundit eliminator. “Trajnerët e huaj në Kombëtare ose kanë qenë trajnerë pa ndonjë emër ose trajnerë me rënie të madhe në karrierë ose kanë ardhur pas ndonjë dështimi të madh në karrierë. Në krye të kombëtares kanë ardhur për të marrë lekët, e jo për ndonjë qëllim tjetër. Asnjëri prej tyre nuk ka punuar si duhet. Të gjithë trajnerët e huaj të Shqipërisë janë dështim, janë kot”, ka thënë Besnik Hasi. Sipas tij, rezultatet pozitive që ka pasur kombëtarja në vitet e fundit nuk janë meritë e trajnerëve, por e lojtarëve. “Nuk është se fitoret i kemi arritur si rrjedhojë e taktikës apo punës së trajnerëve të huaj”, ka deklaruar ai. Problem tjetër sipas Hasit është fondi i vogël i futbollistëve cilësorë. Ai thotë se është e papranueshme që në Kombëtare të luajnë futbollistë që nuk aktivizohen në klubet e tyre. Sipas tij, mungesa e lojtarëve cilësorë ka qenë problem edhe në kohën kur ai ishte aktiv. Hasi vlerëson se cilësia e ekipit kombëtar është më e dobët se që ishte para katër apo pesë vjetësh. “Para pesë vjetësh ne kemi mposhtur skuadra të mëdha, për shembull Greqinë. Ishim në rang më të lartë se jemi tani. Ishim shumë më lart se për shembull Bjellorusia. Ndërsa tani Kombëtarja është në një rang me Qipron, Luksemburgun, Kazakistanin e Azerbajxhanin. Para katër-pesë vjetësh Kombëtarja mbështetej në lojën e pesë-gjashtë futbollistëve, ndërsa tani mbështetet në lojën e tre-katër lojtarëve”, ka thënë Hasi.