Ibrahimoviç “feston” dështimin në botëror
Zakonisht kur dështon arritja e një objektivi të gjithë janë të predispozuar që të rrijnë sa më larg jetës publike. Tjetër gjë për Zlatan Ibrahimoviç dhe disa prej kolegëve të tij në kombëtaren suedeze. Nordikët nuk arritën të prisnin një biletë për në Botërorin 2010, por kjo nuk e ka penguar Ibrahimoviçin që të festojë pas fitores 4-1 me Shqipërinë. Bashkë me disa shokë të skuadrës, shtatlarti i Barcelonës ka bërë një dush dhe më pas është nisur për të festuar, ndoshta fitoren jo shumë të vështirë kundër kuqezinjve. Festa është zhvilluar në “Cafe Opera” të Stokholmit. Sipas informacioneve që vijnë nga mediat suedeze, Ibra & Co kanë kaluar disa orë nën zhurmën e muzikës për të nderuar trajnerin Lars Lagerbak, i cili ka lënë kombëtaren nordike. Të pranishëm në festë ishin edhe aktorë e këngëtarë suedezë, ndërsa Ibrahimoviç mbërriti bashkë me Henrik Larsonin rreth orës 2 të mëngjesit. Rreth orës 3 u larguan një pjesë e madhe e lojtarëve, ndërsa Larson preferoi ta vazhdonte mbrëmjen në një tjetër bar, “White Room”. Fotot e shpërndara nga mediat suedeze kanë plasur një polemikë të madhe në vendin nordik, tifozët e të cilit janë ende të indinjuar nga eliminimi i kombëtares së tyre nga Botërori 2010.