Hasi do angazhim 4-vjeçar me Kombëtaren

Ndonëse nuk ka ende asgjë zyrtare nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit, janë të shumta rrugët që të dërgojnë drejt epokës Hasi në krye të kombëtares së Shqipërisë.
Fakti se Anderlechti po kërkon një zv.trajner dhe se objektivi i kandidatit numër një është ai për të punuar me talentet, padashur të japin bindjen se është pikërisht Hasi i zgjedhuri i presidentit të FSHF-së, Armando Duka.
Thuhet se bisedat tani kanë ngecur rreth kohëzgjatjes së kontratës. Besnik Hasi nuk heq dorë nga ideja për të punuar minimum për katër vjet në pankinën e Shqipërisë.
Sidoqoftë, gjakovari e nis tregimin e tij nga zero, kur me Genkun e panjohur iu hapën dyert e futbollit të madh belg. “Janë bërë 10 vjet që jam i punësuar tek Anderlechti, gjashtë vjet si futbollist dhe po bëhet viti i katërt si ndihmëstrajner”, tregon Hasi, transmeton Lajmeshqip.
“Me Genkun u futëm në kategorinë e parë dhe morëm Kupën e Belgjikës. Në pesë vjet erdhëm nga kategoria e dytë dhe u ngjitëm në majën e futbollit belg. Në vitin 2000 erdha tek Anderlechti sepse ish-trajneri i Genkut kishte ardhur një vit më parë në krye të Anderlechtit dhe më donte me ngulm në skuadër”, thotë Hasi dhe shton se atë kohë ka pasur edhe një ofertë shumë të fortë nga Spanja, nga San Sebastiani, që ishte ngjitur në kategorinë e parë, por megjithatë erdhi tek Anderlechti sepse e dinte që do të luante për trofe dhe do të shijonte Champions League.
Ai nuk e fsheh dëshirën dhe krenarinë për të qenë një ditë trajner i Shqipërisë. “Për mua është një nder shumë i madh të lakohem për stolin e kombëtares shqiptare dhe në qoftë se ajo do të realizohet unë do ta pranoja me shumë dëshirë”.
Gjithashtu, Hasi analizon edhe punën e trajnerëve të huaj në krye të kuqezinjve dhe arsyet e dështimit të tyre. “Në kombëtaren shqiptare, kishim trajnerë të huaj dhe për mendimin tim nuk ishin trajnerë të mëdhenj që do të sillnin diçka ekstra. Ata kishin vetëm një gjë pozitive, kishin një imazh të mirë në Evropë, që neve na duhej faktikisht.
Mirëpo ata trajnerë vinin me një afat të shkurtër dyvjeçar dhe do të jepnin domosdo deklarata të tipit ‘do kualifikohemi’ sepse presioni ishte tek ata. Në fund, Hasi pranon se me futbollin shqiptar duhet punuar me cikle katërvjeçare, çka nënkupton edhe periudhën që ai mendon për të qëndruar në krye të Shqipërisë.
“Është e sigurt, të gjitha vendet e vogla për mua duhet të punojnë me një cikël afatgjatë që të krijosh sa më tepër futbollistë që do të mbajnë barrën e ekipit kombëtar. Unë jam i mendimit që duhet të punojmë me moshat e reja sepse dihen shumë gjëra pozitive për moshat e reja në Shqipëri dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë. Duhet të punojmë me këta çuna që kanë talentin e duhur dhe kështu do të mund të krijonim një ekip dinjitoz për të qenë konkurrues në eliminatoret e ardhshme. Gjithçka duhet bërë hap pas hapi, që të kesh ngritje çdo vit”, përfundon Besniku.