Hasi drejt përfundimit të karrierës, e ardhmja te Anderlecht si zv/trajner

Duket sa tashmë i ka ardhur fundi me të vërtetë karrierës si futbollist të Besnik Hasit. 36-vjecari ka vendosur që t'i japë fund futbollit të luajtur pas përfundimit të këtij sezoni dhe për tu bërë pjesë e stafit teknik të skuadrës më të madhe belge, Anderlecht, aty ku ka kaluar pjesën më të madhe si futbollist. Javën e kaluar për këtë ai ka folur me Herman von Holsbeeck, menaxherin e Anderlechtit.
"Së pari dua të ndahem mirë me Cercle", ka thënë Hasi për mediat belge. "Trupi im nuk mund ta përballojë më. Shpresoj që Cercle e kupton situatën time. Unë kam kontratë edhe për një sezon tjetër. Trajneri Glen De Boeck dëshiron që të qëndroj edhe një vit te Cercle, por unë do të vendos vet kur do të ndaloj së luajturi" ka shtuar Hasi që ka saktësuar se gjithsesi akoma nuk ka një marrëveshje me Anderlechtin. "Deri më tani kemi pasur vetëm biseda. Më kanë pyetur nëse jam i interesuar për një vend në stafin teknik".
Besnik Hasi ka luajtur për 6 vite te Anderlecht, skuadër me të cilën ka arritur kulmin e karrierës së tij duke fituar titullin e kampionit te Belgjikës si dhe duke luajtur në Ligën e Kampionëve.