E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Taçi Oil’ do një klub të Serisë A

Një klub i Serisë A sezonin e ardhshëm mund të ketë pronar një biznesmen shqiptar. Kompania "Taci Oil" është në bisedime me disa klube italiane të njohura dhe shumë shpejt do të blejë një skuadër të njohur italiane. Lajmin e ka konfirmuar edhe zyra e komunikimit me publikun të "Taci Oil International". Kësaj kompanie i ka premtuar asistencë edhe klubi i Milanit, përfaqësues të të cilit po luajnë rolin e ndërmjetësit. Këta të fundit kanë premtuar se do t'i ndihmojnë drejtuesit e "Taci Oil" që të lidhen me një agjenci, e cila do të bëjë të mundur ndërmjetësimin e bisedimeve mes palëve shqiptare dhe disa prej klubeve që pritet të ndërrojnë pronar gjatë vitit të ardhshëm.
Klubet
Disa nga emrat e klubeve që janë përmendur gjatë kohëve të fundit, kanë qenë Siena, Livorno, Kaljari dhe Kievo. Kjo e fundit megjithëse aktualisht luan në Serinë B është në krye të listës së kompanisë shqiptare për dy arsye: së pari, sepse klubi veronez ka probleme financiare dhe së dyti, sepse është një nga skuadrat kandidate për t'u ngjitur sezonin e ardhshëm në Serinë A. "Nuk mund të japim emra konkretë, sepse jemi ende në fazën e vëzhgimit të terrenit. Në lojë janë disa klube të njohura të Italisë, por deri tani nuk kemi arritur në asnjë përfundim. Megjithatë është e vërtetë se drejtuesit e kompanisë "Taci Oil" po kërkojnë të blejnë aksionet e një klubi italian shumë të njohur dhe që sipas të gjitha gjasave, sezonin e ardhshëm do të luajë në Serinë A", ka pohuar zyra për komunikimin me publikun e "Taci Oil International".
Bisedimet
Rezart Taci, menaxheri i përgjithshëm i kompanisë "Taci Oil" është i pasionuar pas futbollit. Burime pranë tij kanë bërë të ditur se gjithnjë ka pasur dëshirë të ketë në pronësi një klub të Serisë A dhe për të realizuar këtë dëshirë të tij, mjaftoi një takim me Silvio Berluskonin, ish-kryeministrin italian, i cili është njëkohësisht edhe presidenti i Milanit, klubit me më shumë trofe në planet. Pas bisedimeve edhe me disa nga specialistët e klubit të Milanit, këta të fundit i premtuan se do ta ndihmonin Tacin për t'u futur në bisedime me ndonjë nga klubet italiane, të cilat janë të gatshme të shesin aksionet e tyre. Përfaqësuesit e Milanit janë shprehur gjithashtu, të gatshëm për t'i prezantuar palës shqiptare agjenci të posacme, të cilat merren me studimin e vlerës së aksioneve klubeve, të cilat më pas kanë mundësi edhe të bëjnë rolin e ndërmjetësit gjatë bisedimeve për shit-blerjen.
Kush është
Kompania "Taci Oil", bëri të mundur zhvillimin e turneut "Milan Junior Camp Tirana". Ky është një aktivitet që organizohet nga klubi i Milanit në 46 vende të botës, por nuk ishte organizuar asnjëherë më parë në Shqipëri. Gjithcka është bërë e mundur pas një takimi mes presidentit të Milanit, Silvio Berluskoni dhe menaxherit të përgjithshëm të "Taci Oil" në fillim të këtij viti. Ky i fundit i ka bërë kërkesën dhe njëkohësisht i ka premtuar mbështetje financiare bosit të klubit italian për zhvillimin e këtij aktiviteti edhe në Tiranë dhe më pas, Berluskoni ka pranuar. "Milan Junior Camp" është një aktivitet ku do të marrin pjesë 400 fëmijë dhe të rinj shqiptarë nga mosha 6 deri në 16 vjec dhe do të zgjasë nga data 30 qershor deri në 4 korrik. Pesë më të mirët e këtij turneu do të kenë mundësi të testohen në skuadrat zinxhir të Milanit.
Nga Jetmir Halilaj (Panorama Sport)
Panorama e skuadrave
Kievo
Klubi veronez i themeluar në vitin 1929 kohët e fundit ka pasur probleme financiare. Ai është një nga ekipet që është përmendur për t'u blerë nga "Taci Oil". Kjo skuadër aktualisht luan në Serinë B, por kryeson tabelën e klasifikimit me 72 pikë të grumbulluara deri tani dhe praktikisht ka siguruar ngjitjen në Serinë A për sezonin e ardhshëm.

Siena
Klubi bardhezi ka pasur probleme të theksuara financiare gjatë kohëve të fundit. Pas vdekjes së presidentit Paolo De Luka, klubi toskan kaloi momente të vështira dhe për të mos falimentuar një pjesë të aksioneve të klubit i bleu banka "Monte dei Paschi". Megjithatë, pozitat financiare të kësaj skuadre janë ende të brishta dhe kompania shqiptare po e shqyrton me kujdes mundësinë për të investuar në këtë klub.

Livorno
Një tjetër klub i Serisë A, me të cilin kompania shqiptare e karburanteve mund të hyjë në bisedime për të blerë aksionet, është edhe Livorno. Presidenti i kësaj skuadre, Aldo Spineli, deklaroi pak ditë më parë se mund ta shesë klubin. Ai ka lënë të kuptohet se nëse skuadra nuk do të mund të sigurojë qëndrimin në Serinë A për sezonin e ardhshëm, atëherë mund ta shesë klubin.

Kaljari
Kaljari aktualisht po kalon një periudhë të vështirë. Skuadra kuqeblu ndodhet e fundit në tabelë dhe e ka prerë biletën për në Serinë B për sezonin e ardhshëm. Ky klub shiti disa nga lojtarët kryesorë verën e shkuar, një ndër të cilët ishte dhe Suazo (kaloi te Interi) dhe gjatë kohëve të fundit situata mes drejtuesve të skuadrës dhe tifozëve është acaruar së tepërmi. Nuk përjashtohet mundësia e largimit të presidentit Masimo Celino.

1
Kjo është hera e parë që një biznesmen shqiptar kërkon të blejë aksionet e një klubi italian të Serisë A. Asnjëherë në të kaluarën nuk ka ndodhur një gjë e tillë, kjo edhe për shkak se thuajse të gjitha klubet italiane kanë pronarë vendës.

4
klube janë përfolur, me të cilët mund të hyjë në bisedime kompania shqiptare në të ardhmen. Bëhet fjalë për Kaljarin, Sienën, Livornon dhe Kievon. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që gjatë ditëve të ardhshme të dalë në skenë ndonjë emër tjetër.

Masaro sërish në Tiranë, më 22 prill
Daniele Masaro, ish-sulmuesi i Milanit dhe i Italisë, i cili aktualisht kryen detyrën e shefit të zyrës së marrëdhënieve me publikun, do të vijë sërish në Tiranë më 22 prill. Këtë radhë ftesën ia kanë bërë drejtuesit e kompanisë "Taci Oil". Masaro, i cili ishte pak ditë më parë për të prezantuar projektin e "Milan Junior Camp" në Tiranë, u surprizua tej mase nga mikpritja në Shqipëri dhe menjëherë pasi ka marrë ftesën për të vizituar përsëri Tiranën, ai ka pranuar. Italiani më 21 prill do të udhëtojë drejt Greqisë për një vizitë pune dhe mësohet se drejtuesit e kompanisë së "Taci Oil" do t'i vënë në dispozicion një avion carter, për t'i siguruar udhëtimin nga Greqia në Tiranë. Pritet që gjatë vizitës së tij të dytë një nga temat e bisedimeve të jetë edhe ardhja e Milanit në Tiranë, për të zhvilluar një ndeshje miqësore me Kombëtaren shqiptare në muajin gusht. Drejtuesit e kompanisë shqiptare po shtojnë përpjekjet për ta sjellë Milanin në Tiranë para se të fillojë kampionati i ardhshëm dhe ka shumë gjasa që kjo të ndodhë, pasi edhe vetë Masaro gjatë vizitës së parë tha se kjo gjë mund të realizohej nëse Berluskoni dhe Rezart Taci do të arrinin një marrëveshje mes tyre.
Asistencë nga Milani
Ndërmjetëse në bisedime, një agjenci e specializuar italiane
Hapat konkretë për të blerë një klub të njohur italian nisën pas ardhjes së Daniele Masaros në Tiranë më 25 mars. Edhe pse gjatë atyre ditëve tema kryesore ishte promovimi i projektit "Milan Junior Camp Tirana", mësohet se Rezart Taci, menaxheri i përgjithshëm i kompanisë ia ka parashtruar idenë e tij edhe përfaqësuesve të Milanit, të cilët janë shprehur të gatshëm për të dhënë asistencën e tyre. Ata i kanë këshilluar biznesmenit shqiptar që të lidhet me ndonjë agjenci të specializuar për vlerësimin e aksioneve të klubeve, të cilat më pas bëjnë edhe rolin e ndërmjetësit gjatë bisedimeve për shit-blerje. Aktualisht drejtuesit e kompanisë "Taci Oil" kanë arritur një marrëveshje me një agjenci italiane të specializuar, e cila aktualisht po shqyrton tregun. Bisedimet me një nga klubet pritet që të nisin gjatë muajit të ardhshëm dhe sipas të gjitha gjasave, gjithcka do të mbyllet brenda verës. Zyra për komunikim me publikun nuk ka dashur të japë detaje të hollësishme në lidhje me këtë cështje.

Bogdani
Kievo, mundësi reale për një binom shqiptar
Të dy klubet e qytetit të Veronës, Hellas Verona dhe Kievo Verona janë nën vëzhgimin e kompanisë shqiptare. Kievos ka më shumë gjasa që "Taci Oil" t'i bëjë një ofertë konkrete, jo vetëm sepse nuk po kalon momente të mira në aspektin financiar, por sepse kjo skuadër sezonin e ardhshëm do të luajë në Serinë A. Aktualisht verdheblutë kryesojnë tabelën e klasifikimit të Serisë B dhe praktikisht e kanë siguruar një biletë për t'u bërë pjesë e garës te skuadrat më të mira të Serisë A. Nëse "Taci Oil" arrin të blejë aksionet e kësaj skuadre, atëherë në klub do të kishte një binom shqiptar, pasi pronë e tij është edhe Erjon Bogdani, sulmuesi i Kombëtares shqiptare, i cili është i huazuar aktualisht te Livorno.

Precedenti
Sokol Haxhia, aksione te San Sovino
Nuk është hera e parë që një shqiptar investon në një skuadër italiane, megjithëse në rastin e Tacit, bëhet fjalë për një investim shumë më të madh financiar. Sokol Haxhia, menaxheri shqiptar ka aksione në klubin e Serisë C1 D, San Sovino. Sokol Haxhia ka blerë një pjesë të aksioneve të këtij klubi dhe një pjesë e lojtarëve të rinj që ai menaxhon, aktivizohen në këtë skuadër, për ta përdorur atë si trampolinë dhe për t'u transferuar më pas në skuadra të niveleve të larta. Një nga talentet shqiptare që aktivizohet aty është Xhulian Rrudho, sulmuesi i përfaqësueses shqiptare U-21, kartonin e të cilit e zotëron klubi i Kievos.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›