E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgatitet largimi i Dajës, gati Sejdini

Burime shumë mirë të informuara pohuan për "Albania-sport", se në kampin e Dinamos është duke u përgatitur largimi i butë i trajnerit Ilir Daja. Ish-tekniku, i cili nxori kampion Elbasanin në sezonin 2005-2006, nuk po rezulton i suksesshëm me liderit e kampionatit shqiptar.
Humbja 4-0 me Vllazninë në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë dhe eliminimi thuajse i sigurt nga vazhdimi i mëtejshëm i edicionit të 56-të të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm në Shqipëri.
Daja e morri Dinamon pas shkarkimit të Agim Canaj, menjëherë pas humbjes me Partizanin në kampionat (2-0). Suksesi i tij i vetëm është eliminimi i formacionit të Hasan Likës në cerekfinalet e Kupës së Shqipërisë (3-1, 0-0), ku pas përfundimit të ndeshjes së dytë ndodhën edhe skena dhune, ku një ndër të goditurit ishte edhe vetë tekniku nga lojtari i Partizanit, Bledar Devolli.
Dinamo në drejtimin e tij ka pësuar dy nga humbjet më të turpshme sezonale ishin ato me Besëlidhjen (1-0) dhe Kastriotin (1-0), dy skuadra që do të përballen të shtunën në Lezhë në sfidën për mbijetesë.
Edhe pse në shtëpinë e Dinamos e kanë përtypur publikisht humbjen qesharake me Vllazninë, zëra që vinë nga brenda 16-herë kampioneve flasin për një pakënaqësi në rritje ndaj Ilir Dajës.
Dinamo do të luajë me Flamurtarin ditën e shtunë dhe një hap fals përpara transfertën së vështirë me Shkumbinin mund të hidhte në erë planet festive të presidentit Besnik Sulaj, në kërkim të titullit që i mungon nga sezoni 2002-2003, kur e pat fituar me trajner Faruk Sejdinin, të vendosur në ndeshjen e fundit kundër Vllaznisë në "Loro Borici".
"Xhaxhi" Sejdini, i cili këtë sezon drejtoi për disa javë Skënderbeun, drejton skuadrën e Kategorisë së Parë, Bylisin. Ish-tekniku i Shkumbinit, do të preferonte më shumë një titull kampion në Superligë me Dinamon, se sa me Bylisin në një kategori më inferiore.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›