E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hassa Hilal

Poetesha arabe, Hassa Hilal, tregon për kurajën që përmes poezisë denoncon klerikët e lartë se po mbjellin frikë dhe tmerr në popull “Vargjet e mia për t’u thënë jo fondamentalistëve”

“Jam një poeteshë e mirë dhe kam marrë shumë vota nga publiku. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë. Ishallah. Por sido që të shkojë puna, edhe nëse nuk dal e para, sfidën time e kam fituar tashmë: jam më popullore se poetët e tjerë që kanë fituar edicionet e mëparshme të shout. Kam prekur miliona njerëz me vargjet e mia dhe do të vazhdoj ta bëj. Pavarësisht nëse fitoj apo jo”. Në prag të ditës që do të ndryshojë jetën e saj me telefon nga Abu Dabi, zëri i Hissa Hilal është i qetë dhe i vendosur. Në botën arabe në këto javë është gruaja për të cilën flasin të gjithë: saudite, ish-gazetare, sot me profesion poete, mamaja e katër fëmijëve, prej muajsh çdo të mërkurë në mbrëmje mban të gozhduar para televizorit milionë arabë nga Egjipti në Emiratet Arabe. Hissa është “star”-i i “The million’s poet”, ‘reality show’ i televizionit Abu Dhabi që zhvillohet prej katër edicionesh. Qëllimi i këtij emisioni është që të zgjidhet falë votës së publikut dhe mendimit të kritikëve, poeti më i mirë i vendeve të Gjirit. është një lloj “American Idol”, ku fituesi merr rreth 1.3 milionë dollarë dhe admirimin e miliona telespektatorëve. Në fillim kandidatët konkurrues ishin 48, por për titullin “Poeti milioner” kanë mbetur katër më të mirët: mes tyre Hissa, e cila është e vetmja grua që ka arritur të shkojë kaq larg. është ajo konkurrentja që më shumë se gjithë të tjerët kur i afrohet mikrofonit e mbështjellë me niqab, nga poshtë së cilës dëgjohet zëri i bukur e melodioz, bën për vete publikun. “Jam shumë e qetë. Qëllimi im ishte t’u thosha atyre që më ndjekin, si jashtë ashtu edhe në vendin tim, atë çfarë kisha për t’u thënë. Ia dola mbanë. Unë përdor poezinë për të shprehur ndjenjat më të thella të shumë njerëzve, sidomos grave: dhimbja përballë një divorci, frustrimi i atyre që kanë kuptuar se kanë zgjedhur burrin e gabuar dhe kupton që shoqëria nuk e fal, zemërimi përballë atyre që kërkojnë të imponojnë rregulla dhe ndalime që nuk janë në Kuran, por që ‘shiten’ si të tilla. Këtë gjë kam bërë dhe reagimi ka qenë i jashtëzakonshëm. Tani vetëm mund të eci përpara dhe të jap më të mirën”. Optimizmi dhe ambicia: një binom thuajse i pandashëm për të gjitha gratë arabe të detyruara të zbatojnë rregullat si në shumë pak vende të tjera të botës. Megjithatë, ato janë të vendosura të ecin përpara dhe të marrin përsipër role gjithmonë e më të mëdha për të mirën e shoqërisë. Kjo vlen sidomos për Hissa-n: disa prej vargjeve të saj, shumë kritike ndaj klerikëve të lartë konservatorë të vendit, tërhoqën vëmendjen e ekstremistëve. Në sajtet islamike të internetit, nga ndjekësit e Al-Kaedës në javën e shkuar u diskutua gjerësisht për vrasjen e saj. është e thjeshtë ta kuptosh përse: “Kam parë të keqen në sytë e fatwa”-s, thuhet në një nga poezitë e saj. Ndërkaq, ajo nuk është trembur, duke deklaruar se është mësuar me kundërshtitë dhe kërcënimet, pasi është e bindur se poezitë e saj janë “provokuese”. “Unë dua të shpreh lirshëm atë që mendoj dhe t’u jap zë grave arabe, të cilave prej shekujsh ua kanë mbyllur gojën ata që kanë uzurpuar kulturën dhe fenë tonë. Për ta është e thjeshtë të vrasësh një njeri. E shohin gjithmonë si një alternativë shpëtimi. Unë nuk kam frikë”, këmbëngul Hissa. Poezia e saj është konsideruar si një sulm i mirëfilltë dhe i hapur ndaj klerikëve të lartë të Arabisë Saudite, të cilët vazhdojnë ta konsiderojnë gruan si një objekt. E mbuluar kokë e këmbë me shami, në vend që të zgjidhte një poezi normale, proklamoi një sulm të ashpër ndaj klerikëve të lartë myslimanë, të cilët, sipas vetë fjalëve të saj, “janë ulur në pozicione pushteti dhe prej andej frikësojnë popullin me lutjet dhe urdhrat e tyre aspak paqësore. E ndjeva për detyrë të flisja. Shumë njerëz në pushtet duan të mbysin zërat e lirë. Ekstremizmi në botën tonë po rritet gjithmonë e më shumë, madje po përhapet edhe në vendet ku nuk ka ekzistuar më parë: Libani, Siria, Sudani. Duhet ta denoncojmë për të mirën e djemve dhe vajzave tona. Unë shpresoj të arrij të bëj diçka. Në mënyrën time”. Pastaj, duke recituar poezitë e saj, e mbuluar kokë e këmbë përpara miliona njerëzve, deklaroi pa iu dridhur qerpiku: “Niqabi nuk më pëlqen. është një detyrim, jo zgjedhje. Por gjithashtu e di se nëse ma heqin nuk do të kisha mbështetjen dhe vëmendjen që kam sot si grua e mbuluar, e cila tregon se respekton traditat. Kështu që do e mbaj dhe do eci përpara: të më dëgjojnë është më e rëndësishme se sa të shikojnë fytyrën time”.

Fjalët e thëna prej saj gjithmonë kanë mbushur me duartrokitje sallën e konkursit më të pasur, më të lakmuar dhe më të famshëm të botës arabe. “The million’s poet” transmetohet nga televizioni i Abu Dabit, por ndiqet me shumë interes prej vitesh në të gjitha vendet arabe. Poetët konkurrojnë me njëri-tjetrin përmes recitimit të poezive të tyre dhe të klasikëve arabë. “Hissa është një poete guximtare”, tregon një prej anëtarëve të jurisë që e çuan në finale dhe nëse e shpall fituese e bën automatikisht pronaren e 1.3 milionë dollarëve. “Ajo ka shprehur opinionin e saj kundër ligjeve fetare që prekin jetën e njerëzve dhe klerikëve që ngjallin frikë te pupulli”. Tani shqetësimi i saj më i madh është mundësia për t’ju rikthyer normalitetit pas kësaj. “Dua t’i rikthehem jetës sime normale dhe të qetë. Mesazhi im në thelb është i thjeshtë. Dashuri paqe, mirëkuptim. Duhet të mësojmë të bashkëjetojmë”, thotë Hissa.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›