Qendra e Tiranës sipas projektit belg
Që prej disa ditësh, punëtorët e një firme arabe kanë nisur punimet për realizimin e projektit të studios belge “51N4E”, e cila u shpall fituese e konkursit për sheshin “Skënderbej”. Sipas arkitektëve dhe pjesëmarrësve të jurisë, projekti i saj paraqiste një dikotomi midis ambientit përreth të gjelbër dhe pjesës së zbrazët të sheshit të Tiranës. Ky projekt paraqet një boshllëk për një hapësirë të ngarkuar, ku mendohet se qytetarët e Tiranës do të kenë mundësi të ndërveprojnë. Një ndër arsyet e përzgjedhjes së këtij projekti ishte realizimi i shpejtë i tij brenda një viti, si dhe vazhdimi i këtij projekti në të ardhmen. Sipas këtij varianti, sheshi “Skënderbej” do të jetë një piramidë me një pjerrësi prej 2 përqindësh.
Qendra është theksuar si një shmangie nga kaosi i qytetit, duke krijuar hapësirë fizike dhe mendore për qytetarët e saj.
Masterplani propozon ta shkëpusë trafikun nga sheshi dhe të krijojë një shesh këmbësorësh me konstruksione të reja.
Sheshi do të rrethohet nga një brez gjelbërimi, nga hijet dhe ndërtesat, ekzistueset apo ato që do të ndërtohen. Biodiversiteti i gjelbërimit do të jetë po aq i pasur sa edhe koleksioni i ndërtesave: një panteon bimësie.
Brezi funksionon si një paradhomë për në sheshin kryesor: duke negociuar midis dendësisë së qytetit dhe hapjes së sheshit, ai ofron varietet kalimesh për të hyrë në të. Sheshi do të jetë i mbrojtur dhe i padukshëm deri në momentin që hedh hapin brenda tij, një shmangie nga kaosi i qytetit. Brezi do të përmbajë kopshte, mjedise të hapura për aktivitete, bare dhe kafe. Skajet e sheshit do të jenë një unazë hapësirash dhe atmosferash të ndryshme. Kjo unazë do të jetë një pjesë natyrale e bulevardit qendror të Tiranës. Brezi do të strehojë kryesisht programe publike, disa ekzistuese, të tjera të alternuara, e disa të tjera të reja: Ndërtesa e Operës do të plotësohet me një hyrje në përmasa të mëdha, duke mbuluar oborret e jashtme ekzistuese, për të shërbyer për kongrese dhe ngjarje të rëndësishme. Xhamia kornizohet nga një dysheme e re, pak më e ngritur. Ndërtesat e ministrive janë trajtuar në një linjë me kopshtin e fundosur, duke shtuar pemë të mbjella që mbulojnë gjithë hapësirën e kopshtit dhe të rrugës. Teatri i Kukullave e gjen veten në shesh dhe lidhet me një hapësirë të re të ndërtuar përpara tij, duke ripërdorur pemët ekzistuese. Banka Kombëtare merr vëmendje, duke shmangur çdo ndërhyrje vetëm duke ndryshuar platformën përpara saj. Qendra Tregtare ngjitur me bankën është ripropozuar. Ndërtesa është e ngritur nga toka për të lejuar një hapësirë, e cila krijon një hyrje të madhe në shesh, duke kornizuar njëherësh kolonadën e ndërtesës së Operës. Funksionet tregtare plotësohen nga një hapësirë ekspozitash për ngjarje kulturore. Lidhja e Muzeut Kombëtar me vendin ku qëndron është ndryshuar duke riorganizuar shkallët kryesore. Fasada e tij njëdimensionale do të ndryshohet në një tipografi multidireksionale. Kulla Qytetare është rivendosja e shërbimeve publike të qytetit në një kullë të vogël. Natën, sheshi do të jetë i ndriçuar fort përreth brezit, duke krijuar një zonë muzgu në qendër.
#