E Shtunë, 31 Tetor 2026

Predikimi në shqip, reagojnë klerikët

Myftinjtë: Ca pjesë nuk përkthehen. Prifti i Vlorës: Himara greqisht, se është minoritet

Klerikët e besimeve kryesore në disa qytete të vendit mbështesin deklaratën e kreut të shtetit, Bamir Topi, që feja duhet të flasë shqip. Megjithatë, sipas tyre, disa lutje dhe shprehje adhurimi ndaj Zotit nuk mund të përkthehen në shqip, pasi humbasin vlerën dhe duhet të interpretohen me gjuhën me të cilën i ka përcjellë Zoti. Klerikë të Myftinisë së Shkodrës pohuan për “Shqip” se riti i faljes së fesë islame në të gjithë rruzullin tokësor bëhet vetëm me gjuhën arabe. “Përderisa Krijuesi i Gjithësisë ia përcolli mesazhet profetit Muhamet në gjuhën arabe, është krejtësisht normale që falja të bëhet në gjuhën arabe. Në këtë këndvështrim, besimtarët myslimanë në të gjithë botën e ndiejnë për detyrim dhe kënaqësi lutjen në gjuhën arabe”, thonë në Myftininë e Shkodrës. Ndërkohë në Arqipeshkvinë e këtij qyteti, pohuan se të gjitha meshat jepen në gjuhën shqipe dhe kjo është e saktësuar me një dekret të posaçëm.

Ndërsa At Aleksandër Petani, kreu i Kishës Ortodokse në Shkodër, është shprehur se shërbesat fetare në besimin ortodoks bëhen në gjuhën shqipe, “pavarësisht ndonjë thënieje”. Në të njëjtin qëndrim kanë qenë edhe përfaqësuesit e klerit në Vlorë. Myftiu i Vlorës, Hito Shaho, ka thënë për “Shqip” se disa pjesë nga Kurani, domosdoshmërisht duhen thënë në gjuhë të huaj. “Nuk mund të përkthehen në shqip, pasi humbasin kuptimin”, shprehet kreu i Myftinisë së Vlorës. Ndërkohë At Kostandin Prifti shprehet se në kishën e Vlorës, çdo shërbesë bëhet në gjuhën shqipe. Priftërinjtë në të gjithë Shqipërinë janë shqiptarë dhe predikojnë në shqip, përveçse në zona ku janë minoritete, si në Dhërmi dhe Himarë, ku predikohet në greqisht. Më pëlqen që meshat t’i bëjmë në shqip, sepse ne jemi shqiptarë dhe jo të ardhur që punojmë në këto vende të shenjta”.

Ndërkaq myftiu i Qarkut të Elbasanit, Agim Duka, ka pohuar se prononcimi i kreut të shtetit për këtë problem është në kohë dhe i mirëpritur nga të gjithë besimtarët myslimanë. “Edhe më parë imamët përdornin vetëm gjuhën amtare, se kështu fjala e Zotit kuptohet më mirë dhe besimtarët bëhen të vetëdijshëm me gjuhën e nënës, për të qenë të devotshëm në lidhje me predikimin e besimit islam, që nënkupton paqe e harmoni mes vetes e të tjerëve”, pohoi Duka. Ai ka shtuar se suret e Kuranit mund të këndohen vetëm në arabisht, pasi çdo gjuhë tjetër i bën të pakëndshme. Ndërkohë, shumë optimist është treguar kreu i Kishës Autoqefale Kombëtare të Shën Mërisë, në lagjen “Kala” të Elbasanit, At Nikolla Marku. “E përshëndes me gjithë zemër fjalën dhe udhëzimin e Presidentit Topi. Vetë Bibla e ka përcaktuar në emër të Perëndisë që flet çdo gjuhë për të mirën e çdo kombi dhe natyrisht duhet të marrë fund njëherë e mirë gjuha e huaj në Kishën Ortodokse”, pohoi Marku. Sipas tij, çmohet puna dhe vlera e Janullatosit, por ky i fundit duhet të flasë vetëm në gjuhën shqipe brenda mjediseve kishtare e aq më tepër kur mbahen mesha të caktuara. Ndërsa kreu i Kishës së Shën Thanasit, i cili njihet për mbështetje ndaj Janullatosit, At Trebicka, ka shpjeguar se Kreu i Kishës Ortodokse Shqiptare, megjithëse është grek, ka folur gjithmonë shqip dhe për këtë duhet përgëzuar.

Ndërkaq drejtuesit e myftinive në Fier e Lushnjë janë shprehur se kanë shumë kohë që të gjitha ritet fetare i kryejnë në gjuhën shqipe. “Edhe pse fillimisht faljet dhe lutjet ndaj Zotit i kemi mësuar në gjuhën arabe, tashmë kemi vite që aplikojmë gjuhën shqipe. Kemi toleruar vetëm në thënie të veçanta”, ka thënë Karafil Mane, Myftiu i Fierit. Kështu është shprehur edhe ipeshkvi i Kishës Katolike për rajonin e Jugut të vendit, qendra e të cilit ndodhet në Fier. Il Kabashi ka thënë se çdo shërbesë fetare, sidomos në raste festash, kryhet në gjuhën shqipe.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›