Rilindja e rolit të babait
Në shumë vende perëndimore baballarët po përfshihen dhe po marrin pjesë në mënyrë gjithnjë e më aktive në veprimtaritë që organizohen për fëmijët e tyre. Rolet tradicionale tashmë po ndryshojnë për sa i përket përkujdesjes dhe shoqërimit të fëmijëve. Një numër i madh baballarësh po merr orare fleksibël në punë për të qëndruar për një kohë më të gjatë pranë fëmijës, çka deri më sot është bërë vetëm nga nënat. Sipas një babai të një djaloshi trevjeçar, ky fenomen mund të quhet “çrregullim gjinish i periudhës postfeministe”. Ai thotë se pas ndryshimeve të viteve ’70 dhe ’80 shumë gra zunë vende drejtuese në profesionet e tyre, duke fituar më shumë, por duke pasur gjithnjë e më pak kohë për të kaluar me fëmijët e tyre. Shumë burra sot, i kanë gratë me paga të mira, më të larta se të tyret, ndërkohë që ata vetë janë më të përkushtuar për familjen, duke kaluar më shumë kohë brenda mureve të shtëpisë në përkujdesje të fëmijëve. Kjo gjë bie në sy zakonisht gjatë fundjavave. Nëpër parqe, apo vende të tjera ku grumbullohen fëmijët, mblidhen baballarët me fëmijët e tyre të vegjël që luajnë me njëri-tjetrin, ndërkohë që ata kanë kohë të bisedojnë dhe të flasin për futbollin, për politikën, por edhe për gjëra të jetës së përditshme. E në këto vende syri nuk të zë këmbë gruaje. Sigurisht që ka veprimtari ku marrin pjesë të dy prindërit, ose vetëm nënat, por po shtohen gjithnjë e më shumë ato në të cilat syri të zë vetëm baballarë që shoqërojnë fëmijët. Madje për t’ua lehtësuar baballarëve detyrën janë themeluar klube të posaçme, ku pranohen kryesisht vetëm baballarët me fëmijët. Në to organizohen veprimtari të ndryshme, si ndeshje futbolli, koncerte, lojëra e madje edhe dreka ku baballarë e fëmijë hanë dhe flasin me njëri-tjetrin. Një pjesë e baballarëve që marrin pjesë në këto grupe kanë punë me kohë të pjesshme në industri, media, art çka u jep mundësi që një pjesë të punës ta bëjnë nga shtëpia e tyre. Me kalimin e kohës kanë zbuluar kënaqësitë që të jep qëndrimi më i gjatë në shtëpi dhe marrja me fëmijët. Por sigurisht që kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Vjen një moment kur edhe baballarët ndihen të lodhur, të kapur nga monotonia dhe përsëritja e gjërave. Për të mos folur me gjendjet e fajit që përjetojnë mamatë, të cilave u duhet të kalojnë shumë më tepër orë në punë se bashkëshortët e tyre, e si pasojë të kenë më pak kohë për të vegjlit. Gjithsesi bëhet fjalë për një mënyrë jetese që në shumë vende perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është në ndryshim e sipër, si pasojë e përfshirjes më të madhe të gruas në karrierë dhe në detyrimet shoqërore. Sot nuk mjafton të jesh nënë për t’u marrë me fëmijën tënd. Ai që ka pagën më të madhe dhe fiton më shumë qëndron më shumë jashtë shtëpisë, pavarësisht nëse është grua apo burrë, ndërkohë që prindit tjetër i mbetet pjesa brenda mureve të shtëpisë dhe kryesisht edukimi dhe qëndrimi me fëmijën. “Puna që bën gruaja ime na jep mundësi të bëjmë jetën që duam. Ajo mendon se unë jam më i qeshur e më optimist dhe karakteri im është më i përshtatshëm për të qenë për një kohë më të gjatë me vajzën tonë të vogël”, thotë një burrë 35-vjeçar. Megjithatë një pjesë e madhe e grave e kanë të vështirë që të mos ndiejnë brerje ndërgjegje kur detyrohen të qëndrojnë në punë me orë të zgjatura, në kurriz të marrëdhënies me fëmijën që ndodhet në shtëpi. Në fakt nuk bëhet fjalë për një tendencë ideale. Idealja do të ishte që prindërit të kishin mundësi në mënyrë të barabartë të kalonin kohë me fëmijët e tyre dhe jo vetëm në fundjavë, por gjatë gjithë ditëve, gjë që nuk është e mundur, sepse kushtet ekonomike nuk e mundësojnë një gjë të tillë. Ka edhe raste kur një bashkëshort mund të jetë baba me kohë të plotë. Edhe pse bëhet fjalë për raste të rralla, ato janë kryesisht problematike, sepse për një burrë, të paktën deri më tani, të qëndrojë në shtëpi do të thotë izolim nga pjesa tjetër e botës dhe më pas, kur fëmija të rritet, ai do ta ketë shumë të vështirë jo vetëm që të rigjejë një punë, por edhe një shoqëri e grup shoqëror. Gjithsesi janë probleme me të cilat janë përballur edhe femrat gjatë gjithë historisë. Por një fëmijë është edhe një sfidë dhe mbi të gjitha një sfidë që duhet përballuar nga dy veta. Ardhja në jetë e një fëmije është një fakt që ndryshon shumë gjëra në një çift: ka më pak jetë sociale, më pak kohë për të kaluar me partnerin, apo partneren, më pak seks, më pak para dhe më pak shoqëri. Zakonisht meshkujt e ndiejnë më shumë frustrimin e një situate të tillë dhe ndihen moralisht më ulët se femrat, edhe pse sigurisht janë mjaft të lumtur që janë bërë baballarë. Por kënaqësia e mashkullit nis të shtohet e të rritet kur fëmija arrin moshën 4 ose 5-vjeçare dhe pikërisht kur fëmija ka dalë nga foshnjëria dhe bëhet një qenie më afër asaj të rritur. Pikërisht ky është momenti kur krijohet një lidhje e re dhe e fortë mes babait e fëmijës dhe përfitimet janë të dyanshme. Sipas statistikave të fundit, koha që baballarët kalojnë me fëmijët e tyre është shtuar gjatë 30 viteve të fundit dhe ata janë shumë më të gatshëm se më parë, që edhe kur janë të zënë me punë të gjejnë kohë për t’u marrë me fëmijët e tyre. Në të shkuarën nuk ishte shumë e nevojshme prania e tyre, por tani me nënat që janë në punë, roli i tyre ka dalë më në plan të parë. Një ndihmë e madhe për baballarët që duan të rrinë me fëmijët, sikurse edhe për nënat, është orari fleksibël i punës. Sipas një studimi të fundit, fëmijët që kanë një marrëdhënie të mirë dhe të shëndetshme me të dy prindërit, pavarësisht se ata mund të mos jetojnë bashkë, janë më të gatshëm për të krijuar miqësi dhe shoqëri të shëndetshme, janë më pak të prirur për të kryer krime apo për të pasur probleme me ligjin e policinë dhe janë si përfundim më të lumtur dhe shkojnë më mirë me mësime.
Rëndësia e rolit të baballarëve është shumë më e madhe nga sa mund të mendohet, sigurisht për sa i takon rritjes së një fëmije, por, nga ana tjetër, është shumë e vlefshme edhe për vetë babanë. Sa më shumë kohë cilësore të kalojnë baballarët me fëmijët, aq më shumë kënaqësi do të ndiejnë ata.
#