E Diel, 1 Nëntor 2026

Havzi Nela, bust në sheshin ku u var

Vepra dhe sakrifica e martirit të demokracisë, Havzi Nela, do të nderohet 20 vite pas vdekjes së tij me një bust në sheshin ku u var. 

JONUZ HALLAÇI/ KUKES

Për kuksianët është ende i freskët në kujtesë ky krim makabër, urdhëruar dhe ekzekutuar nga piramida e diktaturës komuniste.  Plot 20 vite më parë, në njërin nga sheshet kryesore të Kukësit, komunistët varën në litar poetin disident Havzi Nela, i cili ishte dhe i fundmi disident i varur në Evropën Lindore.
Në atë kohë, ndonëse kishin nisur të fryjnë erërat e lirisë, do të firmosej dënimi makabër me vdekje në litar. Nela u mbajt disa orë në sheshin ku u var, duke u tundur në litar. Kuksianët që panë këtë skenë u tronditën nga ky akt barbar ndaj mësuesit, poetit dhe patriotit, që shumicën e jetës e kishte kaluar në burgje e internime. Nela, rreth të 50-ve, ishte dënuar me vdekje edhe më parë, por dënimi i ishte falur. Për herë të parë Havzi Nela fillon punën si mësues në Mat. Aty ai përjashtohet nga mësuesia për krijime letrare "të dënueshme". Më pas, ai mbaron studimet e larta me korrespondencë në Shkodër. Punon si mësues në Krume, Lojme, Shishtavec deri në fillim të vitit 1967, ku transferohet në Topojan. Pikërisht këtu nis pjesa më dramatike e Havzi Nelës dhe familjes së tij. Më 20 prill 1967, në Shishtavec ai kundërshton hapur tri tezat e dala nga pushteti i atëhershëm për: kolektivizimin, prishjen e xhamive dhe ndërrimin e veshjeve, duke thënë se, "Populli është i sëmurë, tre gjilpëra menjëherë nuk e shërojnë, por e shkatërrojnë". Pas kësaj, për Havzi Nelën nisën ndjekjet dhe persekutimet nga sigurimi i shtetit dhe pushteti popullor i asaj kohe, që e shoqërojnë me një serial dosjesh voluminoze për 30 vjet me radhë. Ai ndërron pothuajse të gjitha burgjet e vendit. Por me gjithë vuajtjet dhe persekutimin, atij vetëm sa iu shtuan urrejtja dhe forca e kundërshtisë ndaj diktaturës. Përpara se të pushkatohej, kur ai kishte kundërshtuar hapur politikat e asaj kohe, Nela u arratis në ish-Jugosllavi së bashku me gruan e tij Lavdien, por u soll sërish në Kukës pas një shkëmbimi të të arratisurve mes Sigurimit të Shtetit dhe UDB-së.
Regjimi komunist më 10 gusht 1988 e dënoi atë me varje në mes të qytetit të Kukësit. Këtë vendim e mori gjykata e rrethit Kukës, ku më pas është pasuar nga Gjykata e Lartë me kryetar Fehmi Abdiun dhe me vulë përfundimtare nga Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia. Në vitin 1993 eshtrat e tij u gjendën afër liqenit të Kukësit në një gropë shtylle. Trupi i tij ishte hedhur vertikalisht si në asnjë rast tjetër dhe sipër kokës kishte pak centimetra dhe.
Pas ndërrimit të sistemit, familjes së Havzi Nelës i dhanë  titullin "Martir i Demokracisë". Emrin e tij e mban sot gjimnazi i Kukësit. Bashkëshortja e Nelës, Lavdia, e cila vuajti për vite me radhë persekutimin dhe burgosjen e të shoqit, shprehet se figura e Havzi Nelës duhet respektuar e vlerësuar, se ai dha jetën për demokracinë dhe jo ish-gjykatësit dhe prokurorët që e dënuan atë sot të dekorohen, dhe të jenë në sferat e larta të sistemit të drejtësisë.

Vargjet
Vepra e Havzi Nelës është botuar nën kujdesin e studiuesit Petrit Palushi. Sipas Palushit, Nela ka 5 mijë vargje krijimtari, por nga këto janë botuar vetëm 1 mijë. Pritet që në muajin shtator të dalë përmbledhja e poezive të tij, ku më të shumtat i krijoi në burg. Krijimtarinë e tij e mban studiuesi, por edhe bashkëshortja e Nelës, e cila gjithashtu ruan si gjërat më të shtrenjta nga ish-bashkëshorti edhe letrat e shumta nga burgu. Edhe letrat që Havziu i dërgonte asaj pritet të botohen.

"Nderi i Kombit"
Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Hasan Halili dhe ish-bashkëvuajtësi i tij, kryetari i shoqatës së të persekutuarve politikë, Avdi Gjana, bënë të ditur se po përgatiten për një takim dinjitoz në muajin shtator për të përkujtuar veprën dhe sakrificën e Havzi Nelës. Ata pohuan se do të ketë dhe një bust në këtë qytet. Në këtë përkujtim pritet të jetë dhe Kryeministri Sali Berisha. "Bashkia do t'i propozojë Presidentit të vendit për titullin 'Nderi i Kombit' dhe sheshit ku ai u var 20 vite më parë do t'i jepet emri i disidentit", tha kryebashkiaku.

Kush ishte Havzi Nela
Havzi Nela lindi më 24 shkurt 1934 në fshatin Kollovoz të rrethit Kukës. Mbaroi shkollën fillore dhe të mesme në rrethin e lindjes, në një varfëri të tejskajshme për të vazhduar më vonë institutin në Shkodër ku përjashtohet, pasi ai kundërshtonte politikat e kohës. Pas viteve të tëra burgime, internime e madje edhe disa dënime me vdekje, më 10 gusht 1988 poeti dhe mësuesi disident Havzi Nela u var në sheshin kryesor të Kukësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›