E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhani rrezikon shkarkimin

Selektori i Përfaqësueses së Kosovës në boks, Mehmet Haxhani, mund të shkarkohet nga ky post nga ana e zyrtarëve të Federatës së Boksit të Kosovës (FBOXK).

Haxhani është kritikuar nga krerët e FBOXK-së, me arsyetimin se ai nuk i ka kryer, siç duhet, detyrat të cilat i takonin rreth garave ndërkombëtare të ligës Boxing One, të mbajtura në Hungari.

Në këto gara, të cilat janë zhvilluar të premten dhe të dielën, përfaqësuesja e Kosovës ka pësuar humbje në të dyja meçet e zhvilluara. Në meçin e parë, kosovarët u mposhtën nga ekipi hungarez DVSC Boxing, 11:3, kurse në meçin e dytë 8:6 nga ekipi tjetër hungarez, Keqkemedme.

Neglizhenca e selektorit na ka sjellë probleme në këto gara. Ne e kemi kërkuar nga ai listën e boksirëve pjesëmarrës kohë më parë. Por ai listën na e solli vetëm dy ditë para fillimit të garave. Me këtë rast, boksierët tanë nga Gjermania nuk mundën të na bashkëngjiten, sepse nuk kanë pasur kohë të marrin leje nga klubet e tyre, deklaroi kryetari i FBOXK-së, Ramadan Selimi, në një konferencë për media të mbajtur në Prishtinë, të martën.

Ne do të veprojmë konform rregulloreve përkatëse të federatës me rastin e selektorit, shtoi ai, duke mos e përjashtuar mundësinë e shkarkimit të Haxhanit nga detyra e përzgjedhësit.

Në anën tjetër, Express ka provuar të kontaktojë edhe Mehmet Haxhanin, por kjo ka qenë e pamundur.

Këto gara kanë qenë debutuese për Kosovën në ligën ndërkombëtare Boxing One, e cila pretendon të emërohet Euroligë. Përkundër dy meçeve të humbura, drejtori i Përfaqësueses së Kosovës, Xhevdet Peci i ka vlerësuar si të suksesshme për FBOXK-së.

Në këto gara, Kosova ka marrë pjesë me pesë boksierë, ndonëse ka qenë dashur të paraqitet me shtatë. Siç dihet, dy boksierët e reprezentacionit, Mahmut Gorda dhe Agron Nushi kanë ikur nga Kosova me vizat të cilat ua pat siguruar FBOXK-së, ditë më parë, para se të nisej ekipi kosovar drejtë Hungarisë.

Me këtë rast, kryetari i FBOXK-së, Ramadan Selimi, pat deklaruar se FBOXK-së i kanosej rreziku të përjashtohej nga kjo ligë, në të cilën qe pranuar vetëm pak muaj më parë. Mirëpo, sipas tij, ky rrezik është evituar falë përshtypjeve të mira që ka lënë ekipi kosovar në ato gara.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›