“Autoshkollat”, qeveria ndryshon kriteret e licencave
BLEDAR HOTI
Qeveria ndryshon procedurat e dhënies së licencimit për autoshkollat. Kush ka një aktivitet të tillë pa leje do të ndëshkohet deri në 2 milionë lekë të vjetra ose deri në mbylljen përfundimtare të autoshkollës. Në Kuvendin e Shqipërisë ka mbërritur ndryshimi i Kodit Rrugor, në të cilën parashikohen rregullimin e procedurave për dhënien e lejeve për personat, juridikë apo fizikë, që do të merren me kryerjen e veprimtarisë, nëpërmjet licencimit, me leje për autoshkollat. Në këto ndryshime parashikohen kriteret teknike dhe profesionale, si dhe kushte të tjera që duhet për marrjen e kësaj lejeje. Drejtuesi i autoshkollës duhet të jetë profesional, si dhe është përgjegjës përpara strukturave të Drejtorisë të Shërbimeve të Transportit Rrugor, për funksionimin e saj. “Drejtuesi profesional duhet të jetë inxhinier mekanik ose oficer transporti, i diplomuar në Akademinë e Forcave Tokësore dhe i pajisur me dëshminë e aftësisë profesionale, si mësues teorie, të lëshuar nga zyrat përkatëse të Drejtorisë të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Ai mund të ushtrojë edhe detyrën e instruktorit në drejtimin e mjetit”, thuhet në pikën 6 të nenit 121 të projektligjit.
Penalizimet
Në ndryshimin e nenit 121 janë parashikuar në pika të veçanta edhe penalizimet, të cilat ndërmerren nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor për periudhë për tre muaj kur konstatohen disa shkelje. Ndëshkohet me 50 mijë-200 mijë lekë drejtuesi i autoshkollës, nëse e ushtron aktivitetin pa lejen përkatëse. Kjo shkelje mund të ndëshkohet sipas pikës 13 të nenit 121 të propozuar për ndryshim, edhe me masën për mbylljen e menjëhershme të shkollës por dhe të ndalimit të veprimtarisë. “Cilido që jep mësim teorie ose instrukton drejtimin e mjeteve të autoshkollës pa qenë i pajisur me dëshminë e aftësisë, ndëshkohet me masën administrative me gjobë nga 10 mijë-40 mijë lekë, si dhe me pezullimin e veprimtarisë së shkollës për tre muaj”, thuhet në pikën 14 të nenit 121. “Pezullohet aktiviteti kur veprimtaria nuk zhvillohet rregullisht; kur titullari nuk merr masa për zëvendësimin e mësuesve dhe të instruktorëve, që janë vlerësuar të papërshtatshme nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit; kur titullari nuk respekton urdhrat e dhëna nga kjo drejtori për të rregulluar funksionimin e autoshkollës; kur bëhet transferimi i mjediseve pa lejen e strukturave të drejtorisë”. Ndërsa licenca hiqet kur mungon kapaciteti financiar dhe nuk plotësohen me kërkesa morale, si dhe kur mungojnë pajisjet; teknike dhe didaktike; janë zbatuar dy masa pezullimi të veprimtarisë brenda dy vjetëve; si dhe kur veprimtari nuk fillon brenda 60 ditëve kalendarike nga data e lëshimit të licencës.