Haxhiaj: “Kastrioti do të qëndrojë në Superligë”

EKSKLUZIVE- Trajneri i Kastriotit, Petrit Haxhiaj, ka dalë shumë i dëshpëruar nga tempulli i futbollit shqiptar "Qemal Stafa". Humbja 4-1 me Partizanin ishte më shumë se befasuese. Eksluzivisht për Albania-sport.com, Haxhiaj dha këtë intervistë.
* * *
Haxhiaj, një humbje të cilën ndoshta nuk e keni menduar kurrë se do të ishte e tillë.
- Po, është e vërtetë. Nuk e parashikonim. Është një nga humbjet më të renda të Kastriotit dhe duhet arkivuar si një kujtim i hidhur. Nuk e parashikoja kurrë të shihja disa djem të pamotivuar për të luajtur futboll, kryesisht pjesën e parë. Në pjesën e dytë përmirësuam dicka.
Katër gola janë shumë për Kastriotin, apo jo?
- Partizani dominoi tërë lojën kjo falë dhe cilësive të lojtarëve që ai ka. Nuk dua të përsëris se ekip ka shumë mungesa, kur kujtoj dy ballafaqimet e para me Partizanin, barazimin në Krujë (2-2) dhe humbjen minimale në Tiranë (1-0). Nuk arritëm thuajse të zhvillojmë futboll. Kjo është ndeshja më e dobët e Kastriotit në drejtimin tim.
E ardhmja e Kastriotit, në Superligë apo...
- E them me bindje se Kastrioti do të qendrojë në Kategorinë Superiore. Ne jemi të bindur se përvecse në fushën tonë do të marrim dhe pikë në transfertë. Momentalisht ne jemi 9 pikë para Apolonisë dhe 6 pikë para Shkumbinit, diferenca këto që shpresojme t'i ruajmë deri në fund të sezonit.
Intervistoi: Dash Frashëri