E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhibuliç merr për dore Vllazninë. Dinamo mund turqit, Gramozi shokon Besën

Miqësoret
Flamurtari dorëzohet 2-1 përballë Osijekut kroat në Mecigorje të Bosnjë-Hercegovinës

Skuadrat shqiptare janë tashmë në kulmin e fazës përgatitore të këtyre pushimeve dimërore të kampionatit shqiptar të futbollit. Dhe testi më i mirë i kësaj periudhe intensive stërvitore janë ndeshjet miqësore. Kjo e shtunë ka parë të zbresin në fushë disa nga skuadrat më të njohura të kampionatit shqiptar, Dinamo, Besa dhe Vllaznia. Ekipi shkodran, i drejtuar nga trajneri i ri Edi Martini, i cili e ka zhvilluar fazën e tij përgatitore në Malin e Zi, është përballur dje me skuadrën malazeze të Komit të Podgoricës. Kuqeblutë e kanë fituar këtë takim me rezultatin 3-2. Njeriu i ndeshjes ka qenë blerja më e re e shkodranëve, Sead Haxhibuliç. Sulmuesi boshnjak, i afruar në radhët e Vllaznisë 24 orë përpara takimit, ka mundur të integrohet shumë shpejt brenda grupit dhe është shndërruar protagonist i sfidës miqësore falë një goli të shënuar në minutën e 31. Më parë, për skuadrën e Edi Martinit kishte shënuar Smajli në minutën 15’, ndërsa goli i fitores mban firmën e Galicës në minutën e 56’. Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, futbollistët e Vllaznisë kanë fluturuar në drejtim të Shkodrës, ku do të kalojnë fundjavën, për t’u kthyer sërish në shtetin fqinjë të hënën, për të rifilluar me pjesën tjetër të fazës përgatitore. Burime pranë klubit konfirmojnë se Vllaznia ka refuzuar të nënshkruajë me mesfushorin serb Miroviç, i cili zhgënjeu pritshmëritë pas një jave testim. Fitore ka arritur edhe Dinamo. Blutë kryesues, të cilët po stërviten në Turqi, kanë mundur me rezultatin 1-0 ekipin e kategorisë së dytë turke, Gaziantep BB. Goli i vetëm i takimit mban firmën e Sefës. Gramozi ka shokuar Besën. Kundërshtarët e Realit të Madridit në miqësoren e madhe të së mërkurës në “Qemal Stafa, kanë fituar 1-0 miqësore ndaj kavajasve, të zhvilluar dje në kompleksin stërvitor në Kamzë. Rezultatin e zhbllokoi nga pika e bardhë e 11-metërshit Ngjela. Ra në sy loja e mirë e Vioresin Sinanit, ish-lojtarit të Vllaznisë, të afruar te Besa vetëm para pak ditësh. Flamurtari humbi 2-1 miqësoren me skuadrën kroate, Osijek, testi i tretë i vlonjatëve gjatë përgatitores dimërore në Mecigorje të Bosnjë-Hercegovinës. Goli i vetëm i vlonjatëve mban firmën e Artan Sakajt me 11-metërsh.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›