E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyka zhgënjen në ndeshjen e parë si titullar te Mainci

Bundesliga

Zhgënjyes ka qenë debutimi i Jahmir Hykës për herë të parë si titullar në radhët e Maincit. Skuadra e talentit shqiptar ka humbur 4-2 dje ndeshjen e javës së 18 të Bundesligës gjermane të luajtur në shtëpinë e kryesuesve të tabelës së klasifikimit, Bajer Leverkusen. Pas më shumë se një sezoni e gjysmë në radhët e Maincit, më në fund dje, mesfushori kuqezi ka shijuar mundësinë për të nisur një ndeshje në 11-shen e parë. Ai kishte mundur të fitonte besimin e trajnerit Tushel, i cili kishte vendosur të linte në stol dy rivalët e tij në krahun e majtë, Shyrrle dhe Amri. Fillimi i ndeshjes ka qenë i mirë për shqiptarin, i cili kur ende nuk kishte kaluar as edhe një minutë e plotë lojë, lëshoi një kros të bukur në zonë, i cili nuk u shfrytëzua si duhet nga një shok i skuadrës. Hugland kaloi në minutën e 8 Maincin në avantazh, por me gjithë përpjekjet e shumta të Hykës dhe shokëve të tij, në minutat pasuese skuadra e tij u detyrua të nënshtrohet përballë presionit të madh të Bajer Leverkusen, i cili brenda pjesës së parë gjeti tre herë rrugën e rrjetës. Paraqitja e 21-vjeçarit shqiptar nuk e ka kënaqur trajnerin Tushel, i cili e ka zëvendësuar Hykën pas pjesës së parë. Për ta kompletuar debutimin si titullar të shqiptarit Leverkusen shënoi edhe një tjetër gol në pjesën e dytë, duke e mbyllur gjithë ndeshjen 4-2.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›