E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto: Danimarka mbështet integrimin e Shqipërisë

Danimarka mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kjo është garancia që ka marrë Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z Edmond Haxhinasto gjatë takimeve me krerë të lartë të shtetit danez.

Gjatë vizitës në Danimarkë zoti Haxhinasto u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme Villi Sovndal, Ministrin për Çështje Evropiane, z. Nicolai Wammen, si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, z. Spencer Oliver. Në këto takime u diskutua në mënyrë të veçantë për proceset integruese të Shqipërisë dhe për mbështetjen që Danimarka i jep vendit tonë në këtë rrugë. Gjatë këtyre takimeve z. Haxhinasto bëri një prezantim të arritjeve, në kuadër të Planit të Veprimit, bazuar në 12 prioritetet, duke theksuar se ky tashmë është një plan kombëtar dhe çdo ditë ka zhvillime inkurajuese, të cilat mundësojnë një përgjigje pozitive për kërkesën për statusin e vendit kandidat në tetor të këtij viti.

Po ashtu në fokus të këtyre takimeve ishte edhe bashkëpunimin dypalësh, , zhvillimet në rajon, bashkëpunimi në kuadër të organizatave ndërkombëtare, etj. Në kuadër të bashkëpunimit Z. Haxhinasto, është shprehur se mirëpritet më tepër prezencë daneze në investime, në fusha të tilla si energjia e pastër, turizmi, shkëmbimet tregtare, arsimi, etj. Gjatë vizitës në Kopenhagen, Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Haxhinasto mori pjesë në takimin "Perspektiva evropiane e Shqipërisë" organizuar nga Lëvizja Europiane e Danimarkës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›