Gjyqi ndaj Tahirit, gjykata nuk therret dëshmitarët pasi nuk ka adresat e tyre

Saimir Tahiri

Argita dhe Shkëlzen Berisha
Seanca gjyqësore ndaj deputetit të Partisë Socialiste, Saimir Tahiri, tregon se sistemi i drejtësisë është i paralizuar apo i pafuqishëm. Dy fëmijët e kryeministrit Berisha, Argita dhe Shkëlzeni e kanë paditur deputetin e opozitës për shpifje.
Në mbrojtje të akuzave, Tahiri ka kërkuar thirrjen e dëshmitarëve dhe verifikimin e fakteve, mirëpo gjykata shprehet se nuk mund ta bëjë këtë detyrë. Për më tepër seanca gjyqësore është zhvilluar me dyer të mbyllura.
Gjykata më tha se ajo vetë nuk mund ti kërkojë institucioneve shqiptare as deklaratën e pasurisë së Shkëlzen dhe Argita Berishës, as Drejtorisë së Tatim-Taksave marrëdhënien financiare që kanë zyrat e tyre me shtetin shqiptar dhe taksat dhe tatimet që paguajnë, as të dhënat që kanë të bëjnë me procesin e Gërdecit dhe që sot administrohen në një proces tjetër gjyqësor e kështu me radhë, u shpreh Tahiri pas seancës.
Lidhur me justifikimin se gjykata nuk mund të thirrasë dëshmitarët për shka se nuk ka adresat e tyre, Tahiri ka deklaruar publikisht adresat e tyre.
Po i bëj thirrje publike dhe dëshmitarëve dhe gjykatës ti gjejë dhe ti kërkoj dëshmitarët në adresat që po deklaroj: Argita Berisha adresa 1 kat sipër shtëpisë së Sali Berishës, e ruan garda dhe ka gjykata ku ta gjejë. Shkëlzen Berisha vila në Mullet, ajo më e madhja dhe më e bukura. Damir Fazlliç gjendet lehtë sa herë ka tenderë publikë në kafen e Sheratonit. Mihal Delijorgji në arrest shtëpie. Fatmir Mediu në Ministrinë e Mjedisit. Aldo Bumçi në Ministrinë e Kulturës. Viktor Gumi në Kuvend. Ndërsa gjeneral Luan Hoxha këtë se gjej dot as unë, këtë nuk e ka gjetur dot as gjykata, ky është në arrati, u shpreh deputeti socialist. /F.S/