E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pëllumb Xhufi: Edi Rama sikur ka folur për Rilindje, jo për Ringjallje

Share

Historiani: Në listën e festimeve të Berishës për 100 vjetorin e Pavarësisë janë një tufë bejlerësh e pashallarësh analfabetë e turkoshakë

Historiani i njohur, Pëllumb Xhufi, në një intervistë të gjatë për Shqip, komenton edhe takimet e fundit në politikën shqiptare.

I gjykoj pozitivisht këto takime, nëse vërtet bëhen dhe nëse vërtet trajtohen jo si ngjarje mediatike, por si takime pune vendimmarrësish. Megjithatë, në një plan më të gjerë elektoral, Rama po flet gjithnjë e më shumë për një Rilindje, që do të duhej të sillte ndryshime radikale në jetën politike, ekonomike, shoqërore, morale dhe institucionale të vendit. Në këtë kuptim vendi ka nevojë vërtet për një Rilindje, ndërkohë që takimet e figurave politike të mësipërme ngjajnë me një skenë Ringjalljeje, ku protagonistët e politikës së vjetër e të dështuar shqiptare takohen për të ricikluar njëri- tjetrin. Ndaj takimet në fjalë do të kishin kuptim në rast se ato nuk do të prodhonin riciklimin e këtyre hipopotameve, por edhe do të prodhonin disa rregulla e sjellje të reja, që do të përgatisnin largimin e tyre, tha Xhufi.

Historiani ka komentuar edhe festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë.

Ajo që bie në sy është se në listën e kryeministrit nuk figurojnë emrat e Abdyl Frashërit, Pashko Vasës, Ismail Qemalit, Fan Nolit, dom Nikollë Kaçorrit e Luigj Gurakuqit. Jo, në listën e tij janë një tufë bejlerësh e pashallarësh analfabetë e turkoshakë, që as nuk e ndjenë, as nuk e kërkuan, por vetëm e shfrytëzuan dhe tradhtuan pafundësisht shtetin shqiptar, vijon Xhufi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›