E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto Deklarata e GND-se hap drejt fundit te pavaresise se Mbikqyrur

Ministria e Punëve të Jashtme përshëndet Deklaratën e takimit të fundit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar (GND) për Kosovën, që i hapi rrugën procesit të përmbylljes së pavarësisë së mbikqyrur dhe funksionimit të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur e sovran.
MPJ përgëzon Qeverinë dhe tërë popullin e Kosovës për progresin e arritur të vlerësuar ndërkombëtarisht në forcimin e institucioneve të shtetit ligjor e plotësisht funksional, që e ka shndërruar Kosovën në një faktor paqeje, sigurie e stabiliteti në rajon.
Deklarata e GDN-së, që i hap rrugë përmbylljes së pavarësisë së mbikqyrur, vjen në prag të kremtimit të 4-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ajo do të shërbejë si një motivim i ri për njohje të reja dhe përshpejtimin e proceseve integruese të Kosovës, që tashmë kanë nisur me hapjen zyrtare të procesit të dialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Bashkohemi me thirrjet e GDN-së drejtuar të gjitha vendeve që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, që ta njohin atë, pasi kështu i kontribuojnë forcimit të mëtejshëm të paqes, sigurisë e stabilitetit në rajon dhe integrimit të tij si një i tërë në strukturat evropiane dhe euro-atlantike.
Vlerësojmë qëndrimin e GDN-së ndaj integritetit territorial të Republikës së Kosovës në kuadër të kufijve të saj ekzistues, si dhe apelin që ai i drejton Serbisë, që ky shtet të veprojë në përputhje me zotimet e veta ndërkombëtare, t’i japë fund ndërhyrjes së saj në Kosovë, të tërheqë strukturat e saj paralele dhe të mbështesë përpjekjet e aktorëve ndërkombëtarë dhe institucioneve të Kosovës për promovimin e sundimit të ligjit në veri të Kosovës.
Gjithashtu, ndajmë mendimin me GDN-në që përgëzon Republikën e Kosovës për angazhimin e saj serioz e të përkushtuar në dialogun me Serbinë (të lehtësuar nga Bashkimi Evropian), - si fqinjë të pavarur dhe sovranë, dhe kërkon që marrëveshjet e arritura për çështjet praktike të zbatohen me shpejtësi dhe me garanci ndërkombëtare.
Jemi të bindur se ky zhvillim do të përbëjë një bazë të mirë për një shpejtësi të re në integrimin e Republikës së Kosovës në nismat rajonale dhe strukturat evropiane e euroatlantike, si dhe në familjen e madhe të Kombeve të Bashkuara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›