Haxhinasto: Dialogu politik, hap drejt integrimit
Zv.kryeministri dhe njëherësh ministri i jashtëm Edmond Haxhinasto ka ritheksuar sot se dialogu potitik i arritur mes mazhorancës dhe opozitës është një hap pozitiv drejt integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Duke folur në promovimin e librit “Shteti kandidat i BE”, Haxhinasto theksoi se integrimi i Shqipërisë në strukturat europiane është një prioritet për qeverinë shqiptare.
“Shqipëria e konsideron si prioritet integrimin dhe zhvillimet e fundit janë një hap në drejtimin e duhur. Bashkimi Europian e ka bërë të qartë që bashkëpunimi institucionale janë rruga e vetme që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat” ka theksuar Haxhinasto.
Ndërkohë ministri Haxhinasto ka vlerësuar edhe librin “Shteti kandidat i BE” që sipas tij ka një mesazh të qartë që integrimi varet në performacën e çdo shteti.
“Libri i shërben të gjithë politikanëve, studjuesve dhe punonjësve të shërbimeve publike. Fakti që zonja vjen nga Presheva është një mesazh dhe një metaforë e jashtëzakonshme për Shqipërinë, për të ardhmen e tyre duke e parë integrimin europian si rrugën e vetme, si një Europë që lëvizet lirshëm, ku respektohen të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve” ka shtuar Haxhinasto.