E Shtunë, 31 Tetor 2026

Valky-Berishës: Çekia, mbështetje për statusin

Çekia do mbështesë fuqishëm dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, në periudhën më të afërt gjatë vitit të ardhshëm. Këtë mesazh e ka dhënë sot gjate takimit me kryeministrin Sali Berisha, i Ngarkuari me Punë i Republikës së Çekisë në Tiranë, Z. Vladimir Valky, i cili ushtron përkohësisht edhe funksionet e kreut të Ambasadës Çeke në Tiranë.

Gjatë takimit të sotëm, Berisha vlerësoi figurën e ish Presidentit Havel si një personalitet frymëzues për të gjitha vendet e Evropës Lindore e Juglindore dhe për të gjithë qytetarët dhe intelektualët e lirë të këtyre vendeve, të cilët u ngritën për të shembur komunizmin në fillim të viteve ’90 dhe gjetën tek figura e Vaslav Havel shembullin më të mirë të një individi e politikani të lirë.

Në takim u vlerësuan edhe marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve e qeverive dhe u rikonfirmua vendosmëria dhe angazhimi i tyre për të zgjeruar e thelluar edhe më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Në kuadër të bashkëpunimit, fusha si ajo e arsimit, shkëmbimet ekonomike e tregtare, por edhe thithja e investimeve apo projekteve në fushën e mbrojtjes së mjedisit u konsideruan si sektorë të rëndësishëm për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›