Haxhinasto: Do rrëzojmë akuzat e pabaza. Diplomacia shqiptare, lobim kundër raportit

Raporti i Dick Marty-t, EULEX i konsideron të pamjaftueshme pretendimet e deputetit zviceran
Misioni i Bashkimit Europian në Kosovë EULEX kërkon më shumë prova për raportin e Dick Martit. Zëdhënësja e EULEX ka thanë për një gazetë zvicerane se hetimet nuk do të hapen nëse nuk ka prova për lidhjet kriminale që pretendohen kundër liderit të Kosovës Hashim Thaçi. Zëdhënësja Karin Limdal ka deklaruar në të përditshmen “NZZ am Sonntag”, se nuk kishte mjaftueshëm informacion në raportin e fundit të Këshillit të Europës për të hapur një hetim lidhur me akuzat se Hashim Thaçi ka kryesuar një organizatë të mafies. “Prokuroria shtetërore nis hetimet vetëm kur ka fakt”, ka thënë Limdal. Zëdhënësja e EULEX-it ka deklaruar se hetuesit të Këshillit të Europës senatori zviceran Dick Marty, i është dërguar një letër ku i kërkohet që t’i sigurojë EULEX-it informacione ose prova ku ai ka mbështetur akuzat e bëra në raport. Në 16 dhjetor Marti akuzoi Hashim Thaçin përmes një raporti se kryesonte një organizatë kriminale gjatë luftës së Kosovës e cila ishte marrë me vrasje dhe trafik droge dhe organesh të civilëve të vrarë serbë. Ndërkohë që fundjavën e kaluar ambasadori i Kosovës në Zvicër, Naim Malaj ka ripërsëritur deklaratën e Thaçit se të gjitha akuzat ishin të pabazuara dhe se Kosova po konsideron faktin e ngritjes së një padie kundër Dick Martit.
Edmond Haxhinasto: Do rrëzojmë akuzat e pabaza të Marty-t/Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto ka deklaruar se viti i ardhshëm për diplomacinë shqiptare është i mbushur plot me sfida të rëndësishme. Por sipas tij, e para në agjendën kohore të saj është përballja në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës me projektrezolutën e këtij institucioni rreth raportit të Dick Marty-t për akuzën e trafikimit të organeve nga autoritetet kosovare edhe në territorin e Shqipërisë, gjatë luftës së Kosovës. Ministri Haxhinasto, ka theksuar se Tirana zyrtare i ka të qarta veprimet e saj, fushatë sensibilizuese për të sqaruar se akuzat nuk janë të bazuara në fakte, por nga ana tjetër pranimin e çdo hetimi për të rrëzuar këto akuza. “Ne do të sqarojmë të gjithë partnerët tanë për gatishmërinë e Shqipërisë dhe Kosovës për të bashkëpunuar dhe që raporti i Marty të hetohet”, u shpreh Haxhinasto. Sfida tjetër e rëndësishme për Shqipërinë është përpjekja për të marrë vitin e ardhshëm statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian, pse jo edhe datën e nisjes së negociatave për anëtarësim. Por, sipas ministrit të jashtëm problemi kryesor që mban pezull integrimin është zgjidhja e ngërçit politik.
...