E Diel, 1 Nëntor 2026

Patriotizëm apo nacionalizëm?... Pse jo, edhe ashtu, edhe kështu

27-12-2010 / Nga Eden Babani

Gazeta “55” e së shtunës kishte një shkrim të shkurtër me titull “Atdheu? Është toka e bijve”. Shumëkujt, ndoshta, nuk do t’i ketë rënë në sy shkrimi dy gjysma kolonash, gjithë-gjithë një e pesta e faqes 6. Mua, përkundrazi, më tërhoqi vëmendjen jo aq emri i autorit, shkrimet e të cilit i lexoj me ëndje, sesa shqetësimi i tij lidhur me ca ide kinse europiane, (në të vërtetë, antikombëtare e konfuze), që, për fat të keq, duke qarkulluar në trojet etnike, si edhe gjetkë, në Bruksel a kudo qoftë, nxitin pështjellim ndër shqiptarë. Me të drejtë, autori shqetësohet kur një gazetar shqiptar që punon në Kosovë qenka “habitur tej mase nga reagimi patriotik i opinionit publik shqiptar ndaj raportit të Dick Marty-t”. Jam i një mendjeje me autorin, i cili nuk është i një mendjeje me gazetarin që punon në Kosovë. Pra, unë dhe autori nuk jemi të një mendjeje me një të tretë. Nuk bëj lojë fjalësh. Madje, që të jem fare i qartë, do të theksoja se e gjykoj të habitshme, në mos dashakeqe, një “habi” të tillë. Nëse opinioni publik gjithëshqiptar është prononcuar njëzëshëm ndaj Raportit të zviceranit, kjo do të thotë se shqiptarët diçka i ka ngacmuar në kallo. Të qenkëshim në një paradë mode, na u lejuakësh të veshkëshim kostume kombëtare e të parakaluakëshim. Pse të mos na lejohet të reagojmë bashkërisht për diçka që na dhemb bashkërisht? Është ngacmim i ndjenjës sonë kombëtare të kultivuar në shekuj, ndonëse të lënduar prej diktaturës komuniste ose prej pushtimit jugosllav. Nuk na e zhbëri dot atë ndjenjë as diktatura, as pushtimi. Aq më pak mund ta bëjë sot një Raport me konotacione të pastra serbomëdha. Ende më pak, ka të drejtë të na e lëndojë ndjenjën tonë një person i njohur për prirje proserbe, qoftë ky i veshur (që të mos them i kamufluar) me kostumin e diplomatit perëndimor.
...Debati ynë nisi miqësisht dhe mbaroi po ashtu në qendër të Brukselit. Rrënjët e paskëshin zanafillën përtej ultësirave ku fati më hodhi të jetoj. U zhvillua rreth raportit të zviceranit. Ishim tre: unë, korçar, dhe dy miq të mi, njëri dibran, tjetri pejan. Do të pinim nga një kafe dhe do të bisedonim lidhur me një veprimtari të pritshme. Biseda nisi, si zakonisht, me gjëra anësore, pastaj, u soll nga u soll, u ngul te njëra prej çështjeve të ditës, te Raporti i bujshëm i zviceranit. “Kor absurd me zëra nacionaliste”, u ngut ta quante njëri prej miqve të mi shpërthimin e njëzëshëm të opinionit publik shqiptar. “Aspak, reagoi tjetri. Diçka e natyrshme”. “Meqë  kam shkruar diçka, jam një zë i atij kori kombëtar, por nuk ndihem në absurd. Përkundrazi, thashë unë duke shmangur me qëllim fjalë nacionalizëm”. Kaq u desh. Fjala, fjalën, kundërshtari i “korit absurd me zëra nacionaliste”, u ngut për së dyti dhe na e plasi dashur-padashur: “Nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve”.
Tolerantë dhe njerëz që dimë të merremi vesh, e shmangëm grindjen, ani se ballafaquam arsyetimet tona rreth nacionalizmit, atdhetarizmit, kozmopolitizmit, civilizimit ballkanik dhe atij perëndimor etj.
E pata dëgjuar edhe përpara thënien se nacionalizmi na qenka streha e fundit e maskarenjve, por nuk e kam ditur dhe nuk e di ende kush e ka nxjerrë këtë xhevahir, në cilin kontekst dhe me çfarë qëllimi. Sidoqoftë, e vërtetë ose jo (për shkak të mosdijes sime), e shoh të udhës të citoj thënien e nobelistit francez Martin dy Gard, se nacionalistët kërkojnë “gjithnjë të maskojnë tendencat e tyre luftënxitëse nën ndjesi patriotike”. E saktë. Madje shumë e përshtatshme për serbët të cilët nxitën gjakderdhjen në Kosovë. Në rastin konkret, pra, cili është luftënxitësi, kori ynë “nacionalist”, që (sërish, në rastin konkret) kultivon krenarinë kombëtare apo një raport i stisur mbi dyshime a mbi të thëna njerëzish “që nuk duan të identifikohen”, nxjerrë nga thesi i shpuar i nacionalizmit serbomadh? Si zë jo luftënxitës i korit në fjalë, unë e pranoj me bindje këtë farë soj nacionalizmi.
Po t’u referohesh fjalorëve për fjalën “nacionalizëm”, do të vëresh se ata arrijnë pak a shumë në të njëjtat shpjegime. “Le Petit Robert” e shpjegon kështu kuptimin e parë të fjalës (kuptimin e drejtpërdrejtë): “Doktrinë, lëvizje politike, që kërkon, për një kombësi të drejtën të formojë një komb (nation).” Kurse për fjalën “komb” (nation): “Grup njerëzish, për të cilët supozohet një origjinë e përbashkët... që karakterizohet nga ndërgjegjja e tyre e njëjtë (historike, shoqërore, kulturore)...”
Europa, me kufijtë e saj të sotëm, është produkt i nacionalizmit që gjeneroi shekullin XIX. Kështu që tjetër është të pranosh Europën e sotme, një realitet historik, dhe të tjetër të hedhësh baltë mbi ndjenjën kombëtare të gjermanëve, ta zëmë, ose të shqiptarëve, ëndrra e kamotshme e të cilëve është bashkimi i tyre, së paku, shpirtëror. Atëherë, ku qëndron e keqja e reagimit patriotik shqiptar ndaj Raportit të Marty-t, tek Thaçi, siç përpiqet ndokush të mbulojë konfuzionin e vet kombëtar, në emër të një civilizimi të pretenduar europian? Unë e di mirëfilli se Thaçi, si individ, nuk e përfaqëson kombin shqiptar. Nuk besoj as që të ketë marrë përsipër një barrë të tillë. Por, si Komandat i UÇK-së, dikur, dhe si Kryeministër, sot, i Republikës së Kosovës, copa më e madhe pas Shqipërisë e shkëputur prej trojeve tona etnike, duam-s’duam ne, bart një simbolikë që s’mund ta mohojë kush. Të mos shohësh tendenciozitetin pakufi të Raportit në fjalë (Kosovë-Shqipëri, Shqipëri-Kosovë), do të thotë ose të jesh i verbër dhe bën mirë të heshtësh, ose dashakeq ndaj bashkëkombësve të tu. Në këtë rast, duhet që ata të ta mbyllin gojën sa s’është vonë.
Shtetet e sotme të Europës e kanë kaluar me kohë stadin e zhvillimeve të tanishme ndërshqiptare, madje, ndryshe nga ne, e kanë përjetuar jo pa dhimbje e pa gjakderdhje. Kjo është garancia që ata, europianët, siç ditën ta vlerësonin çështjen kosovare në fundin e shekullit që lamë pas, ashtu do të dinë të kuptojnë edhe “korin” e njëzëshëm shqiptar në mbrojtje të dinjitetit të tyre kombëtar, pavarësisht njeriut ndaj të cilit ngrihen dyshime të pabazuara.
Çikërrimat për bezdisje të ndërkombëtarëve, ndaj të cilëve do t’u shfaqkëshim të pabesueshëm, për pretendime të një civilizimi që e tejkalon atë ballkanik ose më the, të thashë kësi farë gjepurash, unë ndihem fare mirë si zë patriotik, pse jo, edhe nacionalit, i atij “kori mbarëshqiptar”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›