CD-ja e Kadriovskit akuzohen Edi Rama dhe Erjon Brace
Kreu i opozitës shqiptare, Edi Rama, ka takuar disa ditë më parë Kryeprokuroren, pas kërcënimeve të mbërritura në selinë rozë nga Daut Kadriovski, i akuzuar për trafik të lëndëve narkotike dhe i kërkuar nga disa shtete. Prokuroria e Përgjithshme tha se, Ina Rama e informoi kreun e PS-së se organi i akuzës ka filluar hetimet për këtë çështje në bazë të denoncimit ndaj këtij shtetasi për “shpifje për shkak të detyrës”. Në takim është diskutuar nëse Daut Kadriovski ka qenë më parë në prokurori dhe përgjigjja e Ina Ramës ka qenë se askush nga stafi i saj nuk e ka takuar dhe ka marrë ndonjë material prej tij. Zyrtarisht thuhet se të dyja palët kanë rënë dakord për një bashkëpunim të ngushtë me njëra-tjetrën, ku të dhënat e përfituara nga PS-ja t’i serviren grupit hetimor. “Ujku i drogës”, Kadriovski, ka dërguar një CD ku kërcënon krerë dhe deputetë të opozitës. Rama dhe Braçe akuzohen për trafik dhe vrasje. Kërcënime edhe për politikanët në Kosovë dhe Maqedoni. Mësohet se Dauti ka postuar në adresa politikanësh një video-intervistë, ku akuzon thuajse të gjithë ata që kanë qenë në pushtet në vitet 2001-2002 në Shqipëri, Maqedoni e Kosovë.
Në intervistën e tij përmenden gjithfarë emrash të tjerë socialistë të periudhës 2001-2002, si Fatos Nano, Makbule Çeço etj. Ndërkohë, në Maqedoni dhe Kosovë i drejtohet Hashim Thaçit e Jakup Krasniqit të PDK-së, dhe Menduh Thaçit, kryetarit të PDSH-së. CD-ja e çuditshme ka mbërritur në Tiranë më 20 dhjetor. Denoncuesi i këtij shantazhi, Erjon Braçe, deklaroi se Kryeministri Sali Berisha, në një nga momentet e tij të nervozizmit në Kuvend, paralajmëroi 25 ditë më parë me fjalë krejtësisht të ngjashme CD-në e Kadriovskit. Në pjesën shqiptare të intervistës, Braçe dhe Rama kërcënohen se do bëhet publike një ngjarje ku ata, sipas dërguesit të CD-së, akuzohen për vrasje dhe trafik droge. Deputeti socialist deklaroi se pas një mbledhjeje pune në selinë e PSSH-së, personeli i ka vënë në dispozicion një zarf, shërbyer në selinë socialiste të Shqipërisë nga Posta e Tiranës. Brenda tij ishte një kartolinë dhe brenda kësaj kartoline një CD, nga ana e pasme e së cilës shkruhej: “Ke 24 orë kohë, ndryshe kanalet televizive do ta publikojnë”. Në fund është lënë një numër celulari, që nga prefiksi duket që është numër i Maqedonisë dhe në fund fare ka emrin Daut Kadriovski. Braçe tha se në përmbajtje të kësaj CD-je, Daut Kadriovski “dëshmon” se kryetari i PSSH-së, Edi Rama dhe Erjon Braçe janë përfshirë në përdorim dhe në trafik droge dhe në fund fare në dy vrasje.