G99 zbulon ngrirjen e negociatave
Dita e sotme duket se do të jetë pikëtakimi fundor i negociatave për krizën politike. Edhe pse informacioni zyrtar është mbyllur pas heshtjes së palëve, rrjedhja e tij nuk ka munguar qoftë edhe në mënyrë të tërthortë. Kështu në një deklaratë të posaçme të kreut të G99-ës, Ervin Mete, “zbulohet” se dita e sotme është momenti final i diskutimit në tavolinë. “Nesër mazhoranca duhet të pranojë propozimin e opozitës. Nesër klasa politike shqiptare dhe mazhoranca në veçanti duhet të tregojë pjekuri e vullnet për të krijuar një të ardhme më të mirë në këtë vend. Qytetarët e këtij vendi kanë nevojë për shpresë, optimizëm e vizion, jo për agresivitet e tension”, është shprehur ai. Si një lëvizje e pozicionuar në krah të Partisë Socialiste, G99 sjell kështu në vëmendje një proces diskutimi, i cili minimalisht zgjidh kështu edhe të panjohurat e përparimit të bërë. Apeli i kësaj lëvizjeje shkon në favor të logjikës së negociatave ende në proces, por që gjithsesi kanë si afat të prekshëm ditën e sotme. “Është momenti që vullnetit të opozitës dhe vendosmërisë së saj për ta zgjidhur këtë çështje, mazhoranca, për të mirën e këtij vendi t’i përgjigjet pozitivisht”, ka thënë Mete duke ofruar disa të dhëna edhe për dinamikën e negociatave.