E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto: Fund debatit për zgjedhjet, duhet reformë

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi dje nisjen nga puna për reformën zgjedhore. Zëvendëskryetari i kësaj partie, Edmond Haxhinasto, tha se debati i muajve të fundit duhet të marrë një drejtim të ri, fillimin sa më parë të reformës zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme. “Zgjedhje të lira e të ndershme, konkurrimi i ndershëm dhe i barabartë për të gjithë, proces i pakontestuar nga partitë pjesëmarrëse dhe gjithpërfshirja e tyre, garantohet vetëm me një kuadër ligjor sipas standardeve ndërkombëtare, pra me një Kod Zgjedhor sipas këtyre standardeve”, nënvizoi ai.

“Duke njohur gjithsecili përgjegjësitë përkatëse në hartimin e Kodit Zgjedhor të kaluar, është momenti të tregohet maturi politike dhe angazhim institucional për të filluar një proces gjithpërfshirës në përmirësimin e Kodit dhe standardeve për zgjedhjet e ardhshme. Ligjet nuk përmirësohen duke bërtitur nga rruga dhe as duke hedhur ‘shashka’ politike”, tha Haxhinasto.

Madje, sipas tij, angazhimi apo tërheqja para një përgjegjësie të tillë do të tregojnë më së miri nëse motivet e opozitës janë përsosja e standardeve të zgjedhjeve apo provokimi i krizës politike. Ai bëri me dije se LSI-ja ka filluar punën për përgatitjen e një platforme për përmirësimin e Kodit Zgjedhor, duke riparuar defektet e vëna re gjatë zgjedhjeve të 2009-s dhe duke zbatuar rekomandimet e OSCE/ODIHR në raportin e saj përfundimtar. Këto propozime do të paraqiten në mënyrë institucionale në Parlament.

Nëse do të ketë një marrëveshje PD-PS pritet që ajo të reflektohet me ndryshime në Kodin Zgjedhor, ndërsa edhe OSBE-ODIHR ka dhënë rekomandimet e saj për mënyrën se si duhen bërë ndryshimet. Ndërkaq edhe vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë propozimet për të bërë disa ndryshime te ndarja e zonave dhe te shpallja e listave të zgjedhësve. Ndërsa problemi i Lëvizjes Socialiste për Integrim mbetet te përfaqësimi i saj në komisionet e votimit dhe të numërimit të votave.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›