Naço: PS të vijë në Kuvend, jo zarfe me postë
Mazhoranca kërkon prezencën e opozitës në Kuvend për të vijuar shqyrtimin e dy projektligjeve të depozituara pak ditë më parë nga Partia Socialiste. Nënkryetari i Parlamentit, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nasip Naço, deklaroi dje në një prononcim për “Shqip” se mazhoranca do të presë që përfaqësuesit e opozitës të vijnë në Parlament për të ndjekur procedurat normale të kalimit për shqyrtim të projektligjit të tyre. Sipas Naços, për futjen e këtij drafti në rrjedhat e shqyrtimit duhet të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, e cila përbëhet nga kryetarët e grupeve parlamentare të të gjithave partive që përfaqësohen me deputetë në Kuvend. Por mazhoranca duket se e shikon të nevojshme që në këtë mbledhje të jetë prezent edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Kjo kërkesë duket se do ta shtojë edhe kohën kur ky draft do të nisë shqyrtimin, nisur nga fakti se PS-ja ende nuk ka vendosur se kush do të jetë kryetari i grupit të saj parlamentar. Nga ana tjetër, shqyrtimi i këtij drafti në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, sipas procedurës normale, kërkon edhe pjesëmarrjen e opozitës në këtë komision. Por edhe për këtë pjesëmarrje opozita duket se nuk është gati, pasi ende në këtë parti nuk është bërë ndarja e deputetëve sipas komisioneve parlamentare. Nënkryetari i Kuvendit, Naço, thekson se të gjitha këto kërkesa duhet të merren parasysh nga ana e deputetëve të opozitës, pasi nuk mund të pretendohet që drafti i sjellë të kalojë pa pjesëmarrjen e tyre. “Partia Socialiste nuk mund t’i dorëzojë kërkesat dhe draftin e saj si një zarf me postë. Ajo duhet të jetë pjesë e shqyrtimit të tyre në Parlament”, nënvizon deputeti i LSI-së në prononcimin e tij. Po kështu, Naço thekson se do të ishte e udhës që futja e nismës në rendin normal të punimeve të Parlamentit të bëhej ditën e sotme, por kjo lidhej me qëndrimin e vetë opozitës në lidhje me këtë çështje. Nga ana tjetër, burimet bëjnë të ditur se grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të marrë sot edhe vendimin e tij zyrtar në lidhje me projektligjin e dorëzuar në Parlament nga ana e opozitës. Por, gjithashtu, duket se mazhoranca, ndonëse është e hapur për ta shqyrtuar këtë nismë si një nismë normale parlamentare, pritet të mos e pranojë edhe kërkesën e opozitës për hapjen e kutive në një komision hetimor parlamentar. Më herët përfaqësuesit e mazhorancës janë shprehur të hapur për ngritjen e një komisioni hetimor, por, sipas tyre, ky komision mund të merrej vetëm me shqyrtime ligjore dhe nuk mund të hapte kuti votimi. Sipas Kryeministrit Berisha, rinumërimi i votave në një nismë të tillë parlamentare është në kundërshtim të plotë të ligjeve të vendit dhe Kushtetutës. Përfaqësuesit e mazhorancës kanë shpjeguar se veprim i tillë bie ndesh me ndarjen e pushteteve, e drejtë bazë kjo për funksionimin e demokracisë së një vendi. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e opozitës kanë theksuar se hapja e kutive është një kusht i panegociueshëm i tyre për kthimin në Parlament. Pak ditë më parë, opozita hyri për herë të parë pas gjashtë muajsh në Parlament për të bërë betimin dhe po kështu për të dorëzuar kërkesat e saj ndaj mazhorancës.
#