Dade: Kriza, Berisha po e zvarrit zgjidhjen
Socialistët akuzojnë mazhorancën se po zvarrit zgjidhjen e krizës politike në vend. Sekretarja për marrëdhëniet me jashtë në selinë rozë, Arta Dade, përshëndeti vlerësimin e ambasadorit të Spanjës në vendin tonë, Manuel Montobio, ndërsa sqaroi se rezultati i Ruzhdies do të pranohet nga Partia Socialiste.
“Por, Kryeministri i Ruzhdies gabon rëndë nëse mendon se kjo krizë do të zgjidhet vetiu. Kriza politike është ulur këmbëkryq në Shqipëri dhe kjo krizë nuk mund e nuk do të zgjidhet nëse nuk plotësohet kërkesa e Partisë Socialiste për një hetim të plotë e të hollësishëm të zgjedhjeve të 28 qershorit. Partia Socialiste e ka ofruar tashmë kompromisin e saj dhe vullnetin e saj konstruktiv, së pari duke njohur rezultatin e dalë nga skema e Ruzhdies, dhe së dyti, duke dorëzuar në Parlament nismën ligjore për zgjidhjen përfundimtare të kësaj krize politike përmes transparencës së zgjedhjeve”, këmbënguli Dade. Sipas saj, vullneti i Partisë Socialiste për transparencën e plotë të zgjedhjeve dhe hapjen e kutive as nuk do të tretet e as nuk do të bjerrjet përballë kokëfortësisë së Kryeministrit të Ruzhdies. “Përkundrazi, e vërteta tronditëse që po del tashmë në dritë mbi kutinë e Ruzhdies, që Sali Berisha aq shumë e ka për zemër, vetëm sa e shton vendosmërinë tonë për t’i qëndruar kauzës sonë të drejtë”, nënvizoi deputetja socialiste. Ndërkohë ajo sqaroi pozicionin e opozitës, duke u shprehur se Sali Berisha duhet ta kuptojë se Partia Socialiste nuk do të heqë dorë nga kjo kauzë, sepse prej saj varet fati i demokracisë në Shqipëri.
“Sali Berisha duhet ta kuptojë se Partia Socialiste nuk mund të heqë dorë nga kjo kauzë, sepse në këtë rast skema e Ruzhdies do të kthehej në mallkimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në këtë vend. Nga ana tjetër, ne e kuptojmë shumë mirë frikën e Sali Berishës nga hapja e kutive, por kjo frikë nuk mund të shërbejë si një argument që Partia Socialiste të heqë dorë nga kauza e saj. Sfida për Sali Berishën është e hapur. Nëse ai trembet nga transparenca, kjo është humbja e tij e madhe”, shtoi Dade.
Duke u ndalur te deklarata e ambasadorit spanjoll, Dade vuri në dukje se PS-ja është plotësisht dakord me thirrjen e zotit Montobio për klasën politike shqiptare, se është ky akt konstruktiv i ndërmarrë nga Partia Socialiste që hap një dritare shprese për arritjen e një marrëveshjeje dhe se zgjidha e krizës duhet të bazohet pikërisht te nismat ligjore të propozuara nga Partia Socialiste. “Fatkeqësisht, duket se mazhoranca ka vendosur të shpërfillë krejtësisht vullnetin pozitiv të Partisë Socialiste, por edhe thirrjet e partnerëve tanë ndërkombëtarë për një zgjidhje sa më të shpejtë të kësaj krize që po rëndohet më tej çdo ditë që kalon”, tha ajo.
#