E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Kriza, zgjidhja nga Venecia

Presidenti i nderit të republikanëve paralajmëron se situata mund të përkeqësohet në vijim “PS i la topin Berishën, por këtu s’luhet futboll me fatet e vendit”

Zgjidhja e vetme e krizës politike në vend mund të vijë vetëm nga Komisioni i Venecias. Ky është mendimi i konstitucionalistit, njëkohësisht kryetarit të nderit të Asamblesë së Partisë Republikane, Sabri Godo. Sipas tij, Presidenti Bamir Topi nuk mund të bëjë dot më shumë për zgjidhje e krizës politike, pas përpjekjeve për gjetjen e zgjidhjes së saj në tryezën e drejtuar prej tij. Në këto kushte, republikani Godo zgjidhjen e shikon vetëm te një arbitër ndërkombëtar. “Unë nuk besoj se Presidenti do të mund ta çojë më tej këtë çështje, Presidenti bëri ata që i thanë të bënte. Nuk e di pse socialistët refuzojnë t’i referohet kjo çështje Komisionit të Venecias, meqenëse tashmë është e qartë që ky konflikt mes PD-së dhe PS-së këtu brenda nuk do të zgjidhet”, theksoi Godo. Madje ai paralajmëron edhe një degradim të mëtejshëm të gjendjes politike në vend, nëse ndërkombëtarët nuk ndërhynë në zgjidhjen e konflikteve mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste. Nga ana tjetër, Godo kritikon në mënyrë të ashpër për këtë situatë të krijuar në vend Partinë Socialiste dhe kryetarin e saj Edi Rama. Sipas tij, Rama duhet të kthejë menjëherë në Parlament grupin socialist, sepse ky është edhe rekomandim i vetë miqve të tij në Europë. “PS-ja duhet ta marrë parasysh thirrjen e miqve të saj, kështu që shkon drejt një vetizolimi gjithnjë e më të madh”, parashikon Godo. Po kështu, republikani Godo e cilësoi si një mungesë të theksuar seriozitetin dhe futjen e opozitës në Parlament, pak ditë më parë për të bërë betimin dhe për të dorëzuar edhe projektligjin e saj, ku parashikohet hapja e kutive të votimit në një komision parlamentar. “Socialistët shkuan në Parlament për të thënë që tani ia lëmë topin Berishës. Këtu nuk luhet futboll, kemi të bëjmë me fatet e këtij vendi dhe kjo nuk më duket aspak serioze”, theksoi Sabri Godo. Sipas tij, Parlamenti është institucioni më i lartë në vend dhe ai nuk mund të konsiderohet në asnjë mënyrë si fushë futbolli, ku palët t’ia hedhin topin njëra-tjetrës. Në mënyrë të përsëritur kryetari i nderit të Asamblesë së PR-së i bërë thirrje opozitës që të shkojë në Parlament për të zënë vendet që i takojnë dhe për të bërë aty luftën parlamentare, e cila është e nevojshme në një vend demokratik. Po kështu Godo ka përshëndetur edhe tryezën e drejtuar nga Presidenti Bamir Topi, e cila pritej të arrinte të bindte palët për të gjetur një zgjidhje konsensuale për kapërcimin e krizës politike në vend. Por duket se kjo tryezë, e cila u asistua edhe nga delegacioni presidencial i Këshillit të Europës, nuk dha rezultatet e pritshme. Ende palët janë në pozicione të ndara në pretendimet e tyre për hapjen ose jo të kutive të votimit të zgjedhjeve të shkuara parlamentare.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›