Kaskada e Vjosës
Lumi Vjosë është i dyti më i madhi në Shqipëri pas Drinit. Me një gjatësi të përgjithshme prej 272 kilometrash, prurjet mesatare janë 195 metra kub për sekondë. Drini ka prurje mesatare prej 350 metra kub për sekondë. Studimi i kryer në kohën e komunizmit nga Instituti Hidrogjeoteknik vlerësoi se aty mund të ndërtoheshin 7 hidrocentrale me fuqi të përgjithshme të instaluar prej 500 MW. Prodhimi mund të arrijë në 2.2 miliardë kilovatorë në vit, me një vlerë të përgjithshme tregtare prej 110 milionë euro, bazuar në çmimin aktual të importit që është 50 euro për megavat. Kaskada e Vjosës mund ta rrisë prodhimin aktual të energjisë në Shqipëri me 50 për qind nga kuota aktuale. Por deri më sot, vetëm një nga hidrocentralet e planifikuara për t’u ndërtuar atje, Kalivaçi, është dhënë me koncesion dhe ka filluar të ndërtohet. Kaskada e Vjosës mund të shërbejë edhe për stabilizimin e sistemit elektroenergjetik shqiptar, për shkak se gjendet në jug, ndërkohë që i gjithë prodhimi aktual i energjisë është i përqendruar në veri.
#