Polemika mes Vetevendosjes dhe veteraneve te UK-se
Thellohen akuzat në raportin ndërmjet Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe lëvizjes “Vetëvendosje”. Muharrem Xhemajli, kreu i organizatave, ka çuar më tutje përplasjen, duke shpjeguar se pse mendon që lëvizja “Vetëvendosje” ka elemente prosllave. “Albin Kurti, pas luftës dhe pas lirimit nga burgu, ka mbajtur kontakte të vazhdueshme deri në vitin 2004 me inspektorë të Shërbimit Sekret Serb dhe me njerëz të armatës serbe. Ai është takuar me vëllezërit Daçiç nga Klina, njëri inspektor i shërbimit sekret e tjetri pjesëtar i armatës serbe”, ka thënë Xhemajli në emisionin Interaktiv të së premtes në KTV.
Sipas tij, në dijeni për lidhjet e Kurtit me serbët janë edhe institucionet e Kosovës. Xhemajli ka bërë të ditur se do të padisë lëvizjen “Vetëvendosje” për shpifje, pasi nuk ka hyrë asnjëherë në vendvotime në Krajkovë të Drenasit, për të mbushur fletëvotime të PDK-së, siç thotë “Vetëvendosje”.
“Vetëvendosja” u është përgjigjur shkurt akuzave të drejtuara në adresë të liderit të tyre nga kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemajli. Në reagim thuhet: “Lëvizja ‘Vetëvendosje’ nuk është shërbim, nuk ka shërbime të fshehta brenda vetes, nuk është takuar dhe nuk takohet me shërbime të fshehta. Ne jemi me popullin dhe pranë popullit. Nuk merremi me shpifjet e sharlatanëve që vjedhin vota për PDK-në, siç është rasti i Muharrem Xhemajlit. Gjithçka që vjen prej ish-pushtetarëve dhe veglave të tyre është në funksion të negociatave të ardhshme me Serbinë”.