E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto: Koalicion PS-LSI? S’ka plane pa na pyetur ne

Askush nuk mund të bëjë plane për riorganizimin e opozitës pa marrë në konsideratë qëndrimet dhe angazhimet e LSI-së. Në këtë formë i ka kthyer përgjigje zv.kryeministri Edmond Haxhinasto debatit të hapur sëfundi rreth rikthimit të aleancë së dikurshme PS-LSI. Zyrtari i lartë i Lëvizjes Socialiste për Integrim deklaroi në një intervistë për “Vizion plus” se kjo forcë politike është në pushtet , është pjesë e koalicionit, ka një marrëveshjeje për këtë legjislaturë aktuale. Haxhinasto nuk harron të kujtojë se partia e tij është forcë politikë shumë luajale, siç e tregon ecuria e bashkëqeverisjes, por dhe zgjedhjet e fundit të 8 majit. Mendoj, vijon ai, se askush në opozitë nuk duhet të bëjë plane për riorganizimin e opozitës me mendjen e tij, duke mos marrë në konsideratë qëndrimet, vlerësimet, vizionin dhe angazhimet tona. “Janë bërë gabime të tilla edhe më parë. LSI, qëndrimi i saj, pozicionimi i saj nuk është marrë në konsideratë, me një fjalë popullore janë ‘bërë hesape pa hanxhinë’. Kështu mendoj edhe në rastin konkret, se çdo riorganizim i opozitës, së pari, u takon atyre që janë në opozitë”, theksoi Haxhinasto. Në vlerësimin e tij, se çfarë do bëjë LSI në të ardhmen është shumë e qartë për këtë forcë politike. Ne aktualisht po e përpunojmë më tej vizionin tonë për të ardhmen, sqaroi zyrtari i LSI, vizionin tonë jo vetëm për bashkëqeverisjen me Partinë Demokratike, por po përpunojmë një vizion edhe për Shqipërinë europiane, për 10 vitet e ardhshme, kur Shqipëria duhet të kualifikohet për të qenë anëtare e BE. “Ne kemi një axhendë politike të veçantë, kemi një individualitet politik tashmë të spikatur dhe mendoj se çdo forcë politike do respektojë më tepër veten e saj, nëse do marrë në konsideratë, këtë individualitet, këtë vizion dhe këtë pavarësi politike që ka LSI, si një forcë tashmë e konfirmuar në gjithë spektrin e politikës shqiptare”, ngulmoi Haxhinasto. I pyetur në lidhje me kërkesat e fundit të Partisë Socialiste për ndryshime në Kushtetutën e Shqipërisë, kryediplomati shqiptar thotë se kjo është një çështje për të cilën LSI ka mbajtur një qëndrim shumë të qartë kohë më parë. Ne, thotë ai, nuk ndryshojmë qëndrimin për sa i takon ndryshimeve kushtetuese por për të arritur optimumin e dispozitave kushtetuese, procesi nuk mund të jetë identik me atë që i solli këto dispozita. “Duhet të jetë një proces i gjerë diskutimi, me ekspertë, me grupet e interesit, me qëllim që vendi të ketë të gjithë atë cilësi kushtetuese, e cila bën të mundur që Shqipëria të funksionojë si një shtet modern, si një shtet thellësisht demokratik, i cili i zgjidh gjithë problemet e ndryshme institucionale, gjithë vakuumet, duke patur një referencë të qartë në ligjin themelor të shtetit, që është Kushtetuta e vendit”, vlerëson Haxhinasto. Sakaq, duke ju referuar reformës zgjedhore ai konfirmoi se ajo është një nga kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria në rrugën e saj drejt BE-së. “Por janë dhe një sërë reformash të tjera që janë të domosdoshme. BE e ka bërë të qartë, prej një viti, se çfarë pret nga Shqipëria, cilat reforma duhen zhvilluar, çfarë prioritetesh duhet të realizohen edhe në kuadër të opinionit të vitit të kaluar. Janë të qarta për gjithsecilin”, u shpreh Haxhinasto. Numri dy i qeverisë mendon se ka një plan kombëtar veprimi për t'i zbatuar këto 12 prioritete por ajo që mungon është vullneti i opozitës për t’u angazhuar në zbatimin e këtij plani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›