E Shtunë, 31 Tetor 2026

Manjani: Dorëheqja, e vetmja rrugë e Ramës

E vetmja rrugë e Ramës është të dorëhiqet nga Partia Socialiste. Me këtë sugjerim u shfaq dje para medias sekretari për Çështjet Ligjore në Lëvizjen Socialiste për Integrim Ylli Manjani. Në vlerësimin e tij ndryshimet kushtetuese cenojnë rëndë stabilitetin në vend dhe nuk mund të ndërhyhet në Kushtetutë sa herë e kërkojnë eksponentë të caktuar të politikës. Manjani insiston në faktin se është vetë Rama ai që ka kërkuar ndryshimet kushtetuese dhe përsëri ai kërkon të ndryshohet Kushtetuta, ndërkohë që e vetmja rruge e Ramës është të dorëhiqet nga Partia Socialiste. Vetëm dy ditë më parë ishte kreu i LSI-së Ilir Meta ai që deklaroi se reforma zgjedhore nuk mund të kushtëzohet me ndryshime kushtetuese apo ndryshime të tjera. Sipas tij, këto janë dy çështje krejt të ndryshme. “Për sa i takon reformës zgjedhore ka një urgjencë dhe urgjenca ka të bëjë pikërisht me faktin që zgjedhjet e tjera të qershorit të 2013-s janë afër, nuk janë aspak larg. Dhe ne e dimë shumë mirë se si ikën koha dhe në këtë drejtim duhet që ndryshimet në kodin zgjedhor të bëhen në mënyrë të studiuar, transparente, gjithëpërfshirëse e të pjekur pra jo në mënyrë të nxituar”, tha Meta. Duke ju referuar çështjes së ndryshimeve kushtetuese, ai konstatoi se është pozitiv fakti që pranohet sot edhe nga autorët e këtyre ndryshimeve të natës së errët të 21 prillit të tre viteve më parë, që ishin të nxituara, ishin të gabuara, por kjo nuk do të thotë që të gabojmë përsëri me ndryshime të nxituar dhe të gabuara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›