E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përsëritja , votohet në 9 komuna, në Shalë shtyhen sërish

Zgjedhjet për pushtetin vendor janë kthyer tashmë në një telenovelë. Edhe gati tre muaj pas zhvillimit të tyre ato nuk janë mbyllur në të gjitha njësitë e vendit. Shansi që ky proces të mbaronte dje është djegur, pasi nga 10 komuna, ku u vendos ripërsëritja e zgjedhjeve, në vetëm 9 prej tyre është mundur të kryehet procesi, pasi sërish në komunën Shalës të Shkodrës nuk është votuar, duke çuar sërish këtë njësi në rivotim. Megjithëse bëhej fjalë për një process të pjesshëm votimi, KQZ e ka patur të vështirë ta administrojë atë, dhe kjo për shkak të mosparaqitjes së komisionerëve të majtë, apo dhe largimit të tyre sëbashku me vulën. Pavarësish kësaj në mbyllje të ditës së djeshme, zgjedhjet janë mundur të kryen në nëntë komuna: Shllak (Qarku Shkodër), të komunave Pishaj dhe Papër (Qarku Elbasan), komuna Mollas (Qarku Korçë), komuna Kolsh (Qarku Lezhë), komuna Armen dhe Finiq (Qarku Vlorë), komuna Qendër Skrapar (Qarku Berat) dhe komuna Zall Dardhë (Qarku Dibër), në një pjesë të cilave është votuar për kryetar dhe në një pjesë për këshillin.

Problematika

Rreth 36 mijë zgjedhës janë thirrur dje për të votuar për të zgjedhur drejtuesit e 9 komunave të vendit dhe këshillin e një komune tjetër. Në të dhjeta këto njësi u shpall pavlefshmëria e zgjedhjeve të 8 Majit dhe kjo në 3 raste për arsye, se nuk u zhvilluan fare votime dhe në 7 raste të tjera për shkak të problematikës së evidentuar gjatë procesit të numërimit. Në të dhjetë komunat, KQZ kishte ngritur 102 qëndra votmi, ndërsa sipas Kodit procesi duhej të hapej në orën 7 të mëngjesit. Për arsye të ndryshme një gjë e tillë nuk ka ndodhur në të gjitha këto 10 njësi, dhe kjo pasi në tre prej tyre është hasur problematika e mosparaqitjes së komisionerëve, apo ajo e largimit të tyre duke marrë me vete dhe vulën e qëndrës së votimit. Vështirësitë më të mëdha janë hasur pikërisht në dy komunat e Shkodrës, Shalës dhe Shllak, si dhe në komunën Finiq të qarkut të Vlorës. Në Shalës situata nuk është mundur të zgjidhet dhe për rrjedhojë votimi nuk është zhvilluar. Shkak për mos zhvillimin e zgjedhjeve kanë qënë disa mosmarrëveshje që kanë patur anëtarët e komisioneve lidhur me listat e komisionerëve të qendrave të votimit të kësaj komune. Kjo pasi komisionerët përfaqësues të “Aleancës për të Ardhmen” nuk kanë qenë banorë të kësaj komune, por të fshatrave të tjerë të zonës së Dukagjinit, ndërsa komisionerët përfaqësues të “Aleancës për Qytetarin” kanë qenë punonjës të komunës, çka bie ndesh me përcaktimet ligjore. Situatës është tentuar t’i jepet zgjidhje me zëvendësimin e anëtarëve të komisioneve të 5 qendrave të votimit në këtë komunë. Menjëherë pas kësaj KQZ ka ndërhyrë dhe ka dërguar bazën materiale me anë të helikopterëve të ushtrisë, por megjithatë situate nuk ka marrë zgjidhje përfundimtare dhe votimi nuk mundur të hapet para limitit kohor që përcakton ligji. Ndërkohë që një situatë e vështirë është hasur edhe në komunën Shllak, ku pasi kishte nisur votimi, një komisioner socialist është larguar sëbashku me vulën e qëndrës së votimit. Ndërkohë që një problematikë e tillë është hasur edhe në komunën Finiq të rrethit të Sarandës, ku pasi kishte nisur votimi është vënë re dëmtimi i vulës. Për të dyja këto raste ka ndërhyrë KQZ dhe ka dërguar vulat rezervë, ndërsa ka zëvendësuar dhe komisionerin e larguar të PS-së.

Votimi

Përveç tre komunave të mësipërme, votimet e djeshme në të 7 njësitë e tjera ka ecuar normalisht. Në Elbasan, procesi i votimit në komunën Paper dhe Pishaj nisi në të gjitha qëndrat e votimit dhe gjatë gjithë ditës nuk u vunë re problematika, përveç faktit se interesi për të marrë pjesë në votime ishte shumë i ulët. Si pasojë e një problemi teknik në shtypin e fletëve të votimit, ku emrat e subjekteve nuk korrespondonin me partitë politike, proçesi i votimit në këto dy komuna nuk u krye në datën 8 Maj dhe me vendim të KQZ-së, u shpall rivotim. Proçesi i votitmit është zhvilluar normalisht edhe në komunën Mollas në rrrethin e Kolonjës, ku banorët e kësaj njësie u ftuan të votojnë për këshillin e komunës. Zgjedhjet gjithashtu u zhvilluan të qeta edhe në komunën Armen të Vlorës ku kandidonin Kliton Haxhiraj i PD dhe Albert Hoxhaj i PS. Në zgjedhjet e 8 majit rezultati mes dy kandidatëve ishte përkatësisht 1123 me 1120 në favor të Haxhiraj, i cili përfaqëson në këto zgjedhje “Aleancën për Qytetarin”. Gjithashtu një process i qetë dhe pa probleme raportohet edhe për komunën Qëndër Skrapar dhe në Zall Dardhë të Dibrës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›