8 maji - OSBE/ODIHR publikon raportin këtë javë
Raporti paraprak i 11 majit, i vlerësoi zgjedhjet vendore si më të mirat e mbajtura ndonjëherë, transparente dhe konkurruese
OSBE/ODHIR do të publikojnë raportin përfundimtar të përbashkët, me konkluzionet dhe rekomandimet për zgjedhjet lokale të 8 majit, gjatë kësaj jave. Ky raport shërben si udhërrëfyes për të gjithë institucionet pasi BE dhe Departamenti Amerikan i Shtetit i referohen këtij, raporti për vlerësimin e zgjedhjeve në vend.
Raporti ka një rëndësi të veçantë për faktin se jepet vlerësimi i Komisionit Europian në lidhje me kërkesën e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat në tetor të këtij viti. OSBE/ODIHR publikoi më 10 maj, dy ditë pas zgjedhjeve vendore, raportin paraprak, ku vlerësoi procesin e votimit si transparent, të lirë dhe konkurrues.
Kreu i vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it Jonathan Stonestreet vlerësoi se zgjedhjet ishin transparente, pavarësisht efektit që vinte nga polarizimi politik, diçka kjo e zakonshme në një garë konkurruese.
Raporti paraprak i vëzhguesve u shoqërua nga një frymë optimizmi se 8 maji ishte një ditë ndryshe nga proceset e mëparshme zgjedhore, ku theksohej pjesëmarrja masive e qytetarëve në votime si dhe klima e qetë dhe pa incidente që shoqëroi procesin.
Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it përbëhej nga mbi 298 vëzhgues nga 30 vende të botës, duke përfshirë 40 afatgjatë dhe 258 vëzhgues afatshkurtër. Ndërsa delegacioni i Kongresit të KiE, përbëhej nga 14 përfaqësues lokalë të zgjedhur nga 11 vende, duke përfshirë anëtarët e Komitetit të Rajoneve të Bashkimit Evropian.
Misioni i vëzhguesve të ODIHR u kryesua nga Jonathan Stonestreet; së bashku me Hana Richtermocován, në cilësinë e delegacionit të kryetares së Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të KE-së.