E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përçarja e së majtës solli tre disfata elektorale

Funksionimi ose jo i koalicionit mes dy partive kryesore të së majtës PS dhe LSI ka sjellë herë disfata dhe herë suksese elektorale. Krijimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim shtatorin e vitit 2004 çoi në humbjen e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut 2005 dhe daljen e së majtës në opozitë për t’i lënë vendin Partisë Demokratike në qeverisje. Duke eliminuar përçarjen dhe me tezën e së majtës së bashkuar, kryetari i ri i socialistëve Edi Rama, i zgjedhur tetorin e vitit 2005 gradualisht çoi në afrimin e LSI-së me partinë mëmë. Këto dy forca politike garuan sëbashku në zgjedhjet administrative të 18 shkurtit 2007 dhe e majta arriti të fitonte bashkitë kryesore duke rikonfirmuar edhe mandatin e Edi Ramës në Tiranë. Kur të gjithë mendonin se e majta ka rigjetur bashkimin, konflikti midis Edi Ramës dhe Ilir Metës u shfaq duke çuar në largimin e LSI-së nga koalicioni i majtë. Përçarja me kosto e vitit 2005 do të përsëritej fatalisht edhe në votimet e përgjithshme të 28 qershorit 2009 ku LSI garoi në një koalicion jashtë atij të drejtuar nga socialistët e Ramës. Teksa demokratët nuk arritën të garantonin 71 mandate deputetësh, 4 mandatet e Lëvizjes Socialiste për Integrim u shndërruan në përcaktuese të pushtetit të ardhshëm. Pas qershorit 2009, Ilir Meta zgjodhi të bashkonte mandatet me koalicionin e drejtuar nga Partia Demokratike duke ndarë pushtetin me të djathtën dhe lënë PS-në sërish në opozitë. Votimet e fundit të 8 majit sollën humbjen e Ramës në Tiranë dhe votat e LSI-së në këtë bashki ishin përcaktuese për disfatën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›