Haxhinasto: Kosova të përfshihet në programet rajonale të OKB-së

Edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto takoi dje zëvendëssekretarin e përgjithshëm të OKB, Yury Fedotov. Haxhinasto vlerësoi këtë vizitë të parë të Fedotov në vendin tonë si shprehje e bashkëpunimit konkret dhe në rritje mes qeverisë shqiptare dhe Zyrës së OKB për Drogën dhe Krimin(UNODC). Ai u shpreh se kjo vizitë, do të shërbejë dukshëm për të dhënë impulse te reja, duke njohur nga afër masat e marra nga Shqipëria në luftën kundër krimit si dhe për të diskutuar mundësinë e thellimit të bashkëpunimit tonë në të ardhmen. Haxhinasto pasi shprehu mbështetjen e qeverisë shqiptare për programet e UNODC bëri një panoramë të shkurtër të veprimtarisë së Shqipërisë në luftën kundër drogës, trafiqeve ndërkombëtare, korrupsionit dhe krimit të organizuar, si prioritete të vazhdueshme dhe të qarta të qeverisë shqiptare.
Në këtë aspekt Haxhinasto tha se për vënien në jetë të këtyre prioriteteve madhore, qeveria shqiptare ka koordinuar veprimet e saj në drejtim të përsosjes së kuadrit ligjor për luftën pa kompromis ndaj trafikut të drogës, trafiqeve të tjera të paligjshme, korrupsionit dhe krimit të organizuar, për forcimin e strukturave të institucioneve që merren me zbatimin e ligjit, marrjen masave për zbatimin pa kompromis të ligjit ndaj shkelësve të tij si dhe ka forcuar bashkëpunimin në rajon dhe më gjerë. Kjo shtoi Haxhinasto i ka shërbyer dhe po i shërben rritjes së sigurisë, duke kontribuar ndjeshëm në zhvillimin ekonomik.
Me tej Haxhinasto i dha mbështetje të plotë projektit të ri rajonal të UNODC për Evropën Juglindore “Lufta kundër trafiqeve ilegale dhe krimit të organizuar duke përmirësuar qeverisjen, drejtësinë dhe sigurinë” për periudhën 2012-15, duke premtuar se qeveria shqiptare do të jetë një partner aktiv dhe do të ketë një rol bashkëpunues me të gjitha vendet e rajonit për të arritur objektivat e projektit.
Në këtë kontekst, Haxhinasto kërkoi që në këtë projekt të përfshihet edhe Kosova gjë që do ta bënte projektin më gjithëpërfshirës duke i sjellë një vlerë të shtuar projektit. Haxhinasto vuri në dukje se zbatimi i projektit do të forconte më tej institucionet përkatëse në Kosovë si dhe do të shërbente për forcimin e sigurisë në Kosovë dhe bashkëpunimit të saj me të gjitha vendet e rajonit.
Fedotov pasi shprehu kënaqësinë për rritjen e bashkëpunimit të UNODC me qeverinë shqiptare, vuri në dukje se vlerëson mjaft punën dhe angazhimin e qeverisë shqiptare në luftën pa kompromis ndaj trafikut të drogës, trafikut të qenieve njerëzore si dhe krimit të organizuar. Ai theksoi se është në dijeni dhe ndjek me vëmendje ndryshimet legjislative, forcimin e institucioneve për zbatimin e ligjit si dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të qeverisë shqiptare në këto fusha të cilat kanë sjellë rezultate të dukshme në përmirësimin e sigurisë në vend dhe duke ndikuar në zhvillimet rajonale.
Duke vlerësuar, gjithashtu, angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare në zbatimin e projektit rajonal për vitet 2012-15, ai tha se Kosova do të jetë pjesë e projektit dhe se UNODC do të inkurajojë të gjitha institucionet e Kosovës për të forcuar zbatimin e ligjit si dhe për të bashkëpunuar me vendet në rajon, duke kontribuar në suksesin rajonal të projektit.