E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, luftë pa kompromis korrupsionit dhe krimit të organizuar

12-06-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha takon Zëvendëssekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Fedotov

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me drejtorin Ekzekutiv të Zyrës për Krimin dhe Drogat të OKB-së dhe njëkohësisht Drejtor i Përgjithshëm i Zyrës së OKB-së (UNODC) në Vienë, zotin Yury Fedotov. Berisha vlerësoi misionin e Zyrës së drejtuar prej tij, duke e siguruar zotin Fedotov për mbështetjen e plotë që Shqipëria i jep misionit dhe veprimtarisë së saj. Kryeministri Berisha nënvizoi se lufta kundër trafiqeve, krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilat janë në qendër të mandatit të UNODC-së, përbejnë prioritetet absolute të qeverisë shqiptare.
Në këtë kontekst, Kryeministri e njohu zotin Fedotov me reformat dhe arritjet e agjencive ligjzbatuese shqiptare në këto fusha.
Nga ana e tij, Fedotov e cilësoi vizitën në Shqipëri si shumë të rëndësishme.
Ai e konsideroi Shqipërinë dhe bashkëpunimin me agjencitë e saj ligjzbatuese shumë të rëndësishëm në kuadër të programit të ri rajonal për Evropën Juglindore “Lufta kundër trafiqeve ilegale dhe krimit të organizuar, duke përmirësuar qeverisjen, drejtësinë dhe sigurinë”.
Kryeministri e siguroi Fedotov për mbështetjen e qeverisë shqiptare për këtë program dhe vlerësoi rolin e projekteve rajonale në këtë fushë. Kryeministri Berisha dhe Fedotov ndanë të njëjtin qëndrim se qasja rajonale është kusht i rëndësishëm në luftën ndaj trafiqeve, krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe nevojën për përfshirjen e Kosovës në këto programe rajonale. Kryeministri shprehu interes që në bashkëpunim midis autoriteteve shqiptare, UNODC dhe Akademisë Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, të hapet një zyrë rajonale e Akademisë për kryerjen e trajnimeve antikorrupsion.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›