E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto: Opozita të angazhohet për reformat

“Axhenda e integrimit europian duhet të trajtohet si një proces mbipartiak dhe kombëtar, dhe nuk mund të konsumohet për qëllime personale”. Këtë thirrje ka preferuar të bëjë dje zv.kryeministri dhe njëkohësisht ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, në tryezën e organizuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri, me temë integrimin europian. Numri dy i qeverisë insistoi se opozita duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive, me qëllim që axhenda e integrimit të vazhdojë pa ndërprerje. “Opozita duhet të angazhohet për reformat e rëndësishme për vendin dhe të votojnë ligjet, të cilat kërkojnë shumicën në Parlament”, theksoi Haxhinasto. Sakaq, ambasadori Hungarez në Shqipëri, Sandor Molnari, adresoi për publikun prioritetet kryesore të Presidencës Hungareze të BE-së, duke theksuar rigjallërimin ekonomik; fuqizimin e Europës, përmes rikrijimit të politikës së përbashkët bujqësore; sjellja e BE sa më pranë qytetarëve, përmes mirëfunksionimit të traktatit të Lisbonës, si dhe promovimi i vazhdimit të procesit të zgjerimit të BE. Gjatë fjalës së tij, ai përmendi angazhimin e Presidencës Hungareze drejt avancimit të procesit të zgjerimit, duke nënvizuar se perspektiva europianizuese e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të shërbejë si një mjet për stabilizimin e rajonit. Në të njëjtën kohë, Ambasadori përmendi se marrja e statusit vend kandidat për Shqipërinë është objektivi kryesor të cilit i duhet kushtuar vëmendje në vazhdim, nga të gjithë aktorët e shoqërisë. I ftuar kryesor në këtë aktivitet, ish-ministri i Jashtëm Hungarez, Peter Balazs, përmendi se për Shqipërinë, ashtu sikurse edhe vendet e tjera të rajonit, është e rëndësishme të pasurit të një axhende konkrete, kuadri kohor, si dhe një vizion përmes së cilës do të arrihet kjo axhendë. Sipas tij, tre janë qasjet kryesore që duhen mbajtur parasysh gjatë procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. “Qasja e parë është ajo individuale, ku secila nga vendet vlerësohet në bazë të arritjeve personale. Kjo qasje nxit konkurrencën midis vendeve dhe shembulli më tipik i kësaj qasje është procesi i liberalizimit të vizave. Qasja rajonale i referohet gjithmonë e më shumë rritjes dhe forcimit të bashkëpunimit, midis vendeve të rajonit, për çështje që konsiderohen sfida të përbashkëta. Qasja e fundit është qasja e brendshme e BE-së, e cila nënkupton vullnetin dhe vizionin e BE-së ndaj zgjerimit të mëtejshme të saj me vendet e Ballkanit Perëndimor”, nënvizoi Balazs. D.M.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›