E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Ina Rama e njëanshme në hetimin e 21 janarit

TIRANË- Partia Demokratike akuzoi dje Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, për qëndrim të njëanshëm dhe antikushtetues. “Ne konstatojmë në vijimësi, se përjashtimi nga hetimi i atyre, që organizuan dhe udhëhoqën grushtin e shtetit, shkon paralel me rrjedhjen e përditshme të informacioneve, nga institucioni i akuzës, dhe kjo ka për qëllim sabotimin e çështjes. Ndërkohë që mbrojtësit e institucioneve janë akuzuar pothuajse gjithmonë, pa kryer asnjë hetim dhe pa pasur asnjë provë, atyre që organizuan dhunën e pashembullt të 21 janarit, deri tani nuk u është prekur asnjë qime floku. Disponohen të gjitha të dhënat, se edhe kur ndonjëri prej atyre jokryesorëve është thirrur formalisht në prokurori, në mëngjes gjoja ka dëshmuar, ndërsa në drekë është ulur për të ngrënë bashkë me prokurorin”, - tha dje deputeti i PD-së, Flamur Noka. Noka paralajmëroi nismë konkrete ndaj Ina Ramës. “Maxhoranca legjitime, që qeveris vendin, i ka të gjitha mjetet dhe instrumentet për t’i dhënë përgjigjen e merituar çdo puçisti, por ajo në radhë të parë beson se është detyra e çdo institucioni, që të marrë përgjegjësitë e veta. Ndaj, megjithë përpjekjet e tyre, as “shoqja” e Bulevardit dhe askush tjetër, që do të marrë përsipër të ndihmojë organizatorët e grushtit të shtetit, nuk do të mundet që t’i shpëtojë ata nga përballja me rreptësinë e ligjit”, - tha ai

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›