E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, Doda: PS ofron vetëm modelin e korrupsionit

Partia Demokratike reagoi dje lidhur me punimet e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Në një komunikim me median, deputetja Mesila Doda u shpreh se modeli i selisë rozë nuk ofron gjë tjetër, veçse modelin e korrupsionit. Në fjalën e saj, Doda tha se rikthimi i ish-ministrit të Financave, Anastas Angjeli, për krijimin e programit ekonomik të Partisë Socialiste, do të thotë të rikrijojë keqmenaxhimin e bërë me ekonominë e shqiptarëve për 8 vjet rresht. Sipas saj, gjatë kohës që Angjeli ishte ministër, nuk u pa asnjë rritje page apo pensioni përkundrazi kriza e përgjithshme gllabëroi vendin. “Modeli ekonomik i Partisë Socialiste, nën drejtimin e Anastas Angjelit, do të bëjë që buxheti të gllabërohet nga ata që duan ta menaxhojnë atë, nga grupi i ri i punës i ngritur nga PS, model i cili kujton vitet më të mbrapshta të Shqipërisë”, u shpreh Doda. Sakaq, kryesuesja e listës së këshillit bashkiak demokrat të Tiranës, Jorida Tabaku, theksoi se skenari i Ramës për të diskredituar zgjedhjet në vend nuk ndalet. Tabaku tha se Rama nga njëra anë thotë se do të bojkotojë bojkotin 2-vjeçar dhe nga ana tjetër vijon me gjuhën e urrejtjes dhe kërcënimeve kundër Kolegjit Zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›