E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Po vuajmë gabimet e Ramës, duam proporcional kombëtar”

24-07-2011 / Gazeta 55

Paskal Milo, kryetari i PDS-së

Reforma zgjedhore nuk ka vonuar të sjellë reagimin e shpejtë të të vegjëlve të cilët që në krye të herës kanë kundërshtuar fort kodin aktual si diskriminues ndaj tyre.
Kreu i Partisë Demokracia Sociale u shpreh dje së pari duhet të ndryshojë sistemi zgjedhor, duke dhënë variantin se për Shqipërinë së paku proporcionali kombëtar do të ishte më i dobishëm. Këtu ai bën përgjegjës kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama se gaboi në propozimin e sistemit zgjedhor proporcional – rajonal.
“Është e domosdoshme të korrigjohet sistemi zgjedhor. Pra, Shqipëria nuk ka nevojë të ketë një sistem zgjedhor si ai që u miratua në vitin 2008, pra një sistem rajonal proporcional, por është e domosdoshme të ketë të paktën një korrektim ‘kombëtar’. Së dyti, Shqipëria përfundimisht duhet t’i largohet ndërtimit të komisioneve të të gjitha niveleve mbi baza bipartizane”, u shpreh Milo.
Kreu i PDS, Milo, gjithashtu shton një tjetër propozim, në mënyrë që sipas tij, Shqipëria të shkëputet njëherë e përgjithmonë nga manipulimi dhe zvarritja e daljes së rezultatit me muaj të tërë siç ndodhi në Tiranë, në këtë proces. Sipas tij, votim elektronik garanton një proces zgjedhor të ngjashëm me vendet europiane ku rezultati publikohet brenda pak orësh.
“Për garanci për vullnetin e shqiptarëve të ketë një votim elektronik me qëllim që votat e shërbëtorëve të pushtetit apo dhe të militantëve të partive të mëdha politike të mos ndërhyjnë në kutitë e votimit, të mos vjedhin votat e shqiptarëve”, deklaroi kryetari i PDS-së, Paskal Milo.
Demokracia Sociale nuk është e vetmja parti e vogël e interesuar për ndryshimin e kodit zgjedhor. Pothuaj te gjitha partitë e vogla kanë kërkuar ndryshimin e të paktën sistemit zgjedhor. Por, nga ana tjetër, Partia Socialiste vazhdon të mos japë shenja jete në këtë përpjekje të të vegjëlve për t’i shpëtuar gijotinës së Edi Ramës prej 3 vitesh. Për të përforcuar akoma edhe më shumë domosdoshmërinë e reformimit të ligjit elektoral, vlen të kujtojmë letrën e kryetarit të grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, i drejtoi homologut të tij socialist, Gramoz Ruçi, pikërisht mbi domosdoshmërinë e ngritjes së tryezës së reformës zgjedhore. Përsëri Partia Socialiste s’ka vullnet konsensual, për të pranuar ofertën e mazhorancës, e cila ashtu sikurse edhe në 2008-ën, i jep të drejtën ekskluzive opozitës, për propozimin e çfarëdolloj sistemi zgjedhor.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›