E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto: Partitë e mëdha po na vjedhin votën, ankesë ligjore ndaj tyre

Kreu i Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto ka shprehur shqetësimin në emër të partitë së tij për vjedhjen e votave që po bëhet në dëm të tyre gjatë numërimit të votave. Haxhinasto ka bërë thirrje se tashmë procesi zgjedhor ndodhet në fazën më të rëndësishme dhe procesi i numërimit  të votave është pjesa themelore, esenciale e procesit normal zgjedhor, prandaj ai ka kërkuar standarde të cilat garantojnë zgjedhje të lira e të ndershme. Ne kemi shqetësime me rezultate krejtësisht absurde në disa qendra votimi, kryesisht në qarkun e Fierit, konkretisht në KZAZ-të 19, 20 dhe 23, ku ka disa rezultate absurde prej 0 votash. Ndërkohë që, aty kemi një prezencë substanciale të anëtarësisë së LSI dhe vetë familjarëve të kandidatëve të cilët kandidojnë në atë zonë, është shprehur Haxhinasto, duke shtuar se një problem tjetër shqetësues është vënë re në njësinë n.1 në Tiranë, ku është vënë re fenomeni, që në kutitë e votimit në shumicën e tyre ka rreth 30-40 fletë votimi të pashkruara. Sipas tij, ka pasur përpjekje që ato të ndahen 50 me 50, midis PD dhe PS për të patur një rritje artificiale të tyre në krahasim me partitë e tjera që konkurrojnë aty, sigurisht në raportin e përqindjes që kanë këto parti, PD dhe PS  me partitë e tjera. Ne do të bëjmë të qartë se, për çdo rast të tillë, për çdo parregullsi që kemi vënë re do bëjmë ankesën ligjore përkatëse dhe sigurisht ata persona që janë përgjegjës për këto parregullsi, do të vendosen para drejtësisë, ka vijuar Haxhinasto, duke theksuar edhe një herë se tashmë jemi në një fazë të rëndësishme thelbësore të procesit zgjedhor, fazë e cila mund të ndikojë ndjeshëm rezultatet e zgjedhjeve. Të gjitha forcat politike, përfaqësuesit e tyre nëpër komisione, vëzhgues, numërues, duhet të jenë të qartë që në këto zgjedhje nuk fiton një forcë politike, por fiton Shqipëria dhe standardet zgjedhore, u shpreh më tej ai, duke përfunduar se tashmë kanë ardhur të qarta sinjalet nga të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, ata që na monitorojnë me shumë vëmendje për problematikat që kanë pasur këto zgjedhje. Haxhinasto ka kërkuar që domosdoshmërisht të reflektohet e të tregohet përgjegjësi dhe të mos shkelen ato pak standarde që janë arritur, në mënyrë që të mos trajtohemi si vend problematik për zhvillimin e zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›