E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK akuzon komisionerët e PD dhe PS për tjetërsim votash

Partia Demokristiane ka akuzuar dy partitë e mëdha PD dhe PS për tjetërsim vote nëpërmjet manipulimit të procesverbaleve. Sipas të dhënave të vëzhguesve të PDK-së dhe aleateve të tyre tek Poli i Lirisë, në shumicën e komisioneve të zonave të administrimit zgjedhor, janë shfaqur veprime të paligjshme të tjetërsimit të votës, duke shënuar në procesverbale numra shumë më të ulët të votave të subjektit të PDK, sesa numri real i votave që shfaqet publikisht edhe në ekranet e tavolinave të numërimit. PDK e cilëson këtë pasojë direkte të skenarit të manipulimit të zgjedhjeve dhe tjetërsimit të votave të partive të treta, në favor të dy partive të mëdha. Kjo forcë politike bën me dije se disponon të gjitha faktet dhe dokumentet e nevojshme që vërtetojnë pretendimet e mësipërme, sidomos diferencën e madhe midis numrit të votave të dala në ekranet e qendrave të numërimit, me numrin e votave që dy partitë e mëdha u kanë shënuar në procesverbalet përfundimtare. Problemet më të mëdha të manipulimit të procesverbaleve shfaqen në KZAZ 50 në Kombinat, KZAZ 55 në Laprakë, KZAZ 58 në Paskuqan, KZAZ 56 në Kamëz, KZAZ 57 në Bashkinë Tiranë, KZAZ 49 në njësinë bashkiake 5 në Tiranë. Në të gjitha këto KZAZ vëzhguesit tanë kanë raportuar mospërputhje të mëdha midis numrit të votave të PDK të shfaqur në ekran, me numrin e votave që janë shënuar në procesverbalet përkatëse. Vëzhguesit tanë janë përpjekur të kërkojnë verifikimin dhe denoncimin e këtyre shkeljeve, por ata në kundërshtim me ligjin, nuk janë lejuar të veprojnë, madje as të jenë pjesë e vëzhgimit nga afër të procesit, thuhet në deklaratën e PDK. Ndër të tjera, mësohet se shkelje të tilla të rënda në procesin e administrimit të votës janë konstatuar edhe në qarqet Shkodër, Lezhë, Dibër, Vlorë, Korçë, Elbasan, ku komisionerët e dy partive të mëdha kanë tjetërsuar masivisht votat e Partisë Demokristiane. Po ashtu, nëpërmjet kësaj deklarate për shtyp, PDK nënvizon faktin se në kundërshtim me ligjin dhe udhëzimet e KQZ, janë lejuar nga dy partitë e mëdha emërimi në komisionet e numërimit të votave nga  individë me shkollë të mesme, të pa trajnuar, dhe të pa përgatitur për administrimin ligjor të procesit. Një tjetër shqetësim i ngritur prej tyre ka qenë edhe anëtarët e komisionit të numërimit, për të cilën PDK pretendon se kanë qenë drejtues të lartë të administratës shtetërore, që sipas tyre kanë bërë presione të vazhdueshme mbi vëzhguesit e PDK.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›