E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto: Pas NATO-s, Shqipëria rol më të madh

Kryediplomati mblodhi sot ambasadorët e huaj në Tiranë, nga ku ka paraqitur objektivat dhe synimet për politikën e jashtme.

“Diplomacia shqiptare është e gatshme që të japë më shumë kontribut në politikën e jashtme ndërkombëtare, tani në pozicionin e një anëtareje me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Do mbështesim organizimin dhe forcimin e diasporës aje ku ajo ndodhet, me ruajtjen e gjuhës, kulturës si dhe do garantojmë kontributet që emigracioni i ri ka bërë në sistemet e sigurimeve shoqërore të Shqipërisë dhe vendeve ku ata aktualisht jetojnë", është shprehur ai.

Shefi i diplomacisë shqiptare tha më tej, se Shqipëria do të rrisë kontributet e saj për të përballuar sfidat e sigurisë globale. "Ne do të rrisim kontributin tonë në përballjen e sfidave të sigurisë, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit etj", shtoi Haxhinasto, duke vënë në dukje se do të rivitalizohen marrëdhëniet dypalëshe me vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara.

Sipas tij, “ky rivitalizim do përfshijë forcimin e diplomacisë shqiptare me plotësimin e kuadrit ligjor të bashkëpunimit, duke nënshkruar marrëveshje dhe rritur shkëmbimet tregtare si dhe bashkëpunimin politik, si në planin dypalësh, ashtu dhe në atë shumëpalësh".

Gjithashtu ministri i Jashtëm, Haxhinato, bëri të ditur se roli i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare ka marrë një dimension të ri zhvillimi, falë përkushtimit dhe gatishmërisë për të kontribuar me seriozitet dhe përgjegjshmëri në sfidat dhe çështjet madhore, që përbëjnë edhe prioritetet kryesore të politikës ndërkombëtare. Ai tha se Shqipëria ka tashmë 307 trupa në Afganistan dhe do të rrisë rolin e saj në aftësimin e forcave afgane të sigurisë. /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2010-12-20 15:30
  [ 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›